Kosovën e mbron KFOR-i, ambasadori gjerman siguron qytetarët
Populli i Kosovës vazhdon të përkrahë Ukrainën dhe qytetarët e saj, duke u rreshtuar në anën e vendeve demokratike.
Kjo u tregua edhe të hënën përmes një proteste në të cilën nuk munguan as ambasadorët e vendeve më të rëndësishme të Evropës.
“Ne e vlerësojmë shumë që edhe qeveria edhe kuvendi unanimisht mbështetën sanksionet, treguan shenja të qarta të solidaritetit. Pastaj ishin qytetarët këtu, përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe pastaj na u bashkua edhe presidentja. Mendoj se shoqëria e Kosovës është e bashkuar me pjesën tjetër të botës për ta dënuar këtë agresion. Kjo po bëhet në gjithë Evropën, dhe çka është më e rëndësishmja ka protesta kundër luftës edhe ne Rusi, por fatkeqësisht atje njerëzit po arrestohen për këtë gjë”, thotë ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde.
Sipas ambasadorit, rajoni dhe Kosova nuk kanë pse të kenë frikë, ndonëse e pranon se situata është shqetësuese.
“Unë jam i shqetësuar. Jam i shqetësuar me atë se çfarë do të ndodh. Kur dikush e nis një luftë pa ndonjë arsye normalisht që shqetësohem. Por, rajoni e sidomos Kosova e ka KFOR-in këtu dhe nuk shoh arsye për t’u shqetësuar. Sigurisht që ndjenja se një luftë po ndodh në Evropë është shqetësim, por nuk shoh ndonjë kërcënim direkt për Kosovën dhe rajonin”, shprehet ambasadori.
Ambasadori Rohde siguroi se qytetarët e Kosovës nuk duhet të kenë frikë as nga ndonjë veprim i mundshëm i Serbisë, e cila njihet si mbështetëse e Rusisë.
“E keni parë votimin javën e kaluar në OKB, Serbia votoi pro rezolutës. Sigurisht që më kanë pyetur njerëzit se në Serbi janë pro rus, por një mijë veta që demonstrojnë nuk është populli serb. Ka shume desinformim nga Rusia çdo kund e sidomos në Serbi dhe ky është problemi aty”, thotë ambasadori.
Një protestë në përkrahje të agresionit rus në Ukrainë u mbajt të dielën në veri të Kosovës nga një grup i serbëve që jetojnë në atë pjesë të vendit.
Rruga Press