OKB: 1,200 civilë të vrarë e të plagosur në Ukrainë
Mbi 1,200 civilë janë vrarë ose plagosur prej kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës 13 ditë më parë, tha sot Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Në këtë numër përfshihen 406 njerëz të vrarë dhe 801 të plagosur.
Megjithatë, zëdhënësja e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Liz Throssell, paralajmëroi se shifrat “mund të jenë shumë më të larta”.
Shumica e lëndimeve janë rezultat i “sulmeve ajrore dhe i të shtënave me armë”, tha OKB-ja.
OKB shprehu gjithashtu shqetësim për “ndalimin arbitrar” të mbështetësve pro-ukrainas në zonat që kontrollohen nga ushtria ruse, si dhe për “dhunën” kundër atyre që konsiderohen si pro-rusë në territoret e kontrolluara nga Qeveria ukrainase.
Më herët, Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi, tha se numri i njerëzve të zhvendosur nga lufta në Ukrainë, ka kaluar dy milionë.
Refugjatët arritën këtë shifër vetëm në ditën e 13-të luftës.
Grandi tha se për krahasim, luftërat ballkanike në Bosnje dhe Kosovë kanë shkaktuar dy-tre milionë të zhvendosur, por “në një periudhë prej tetë vjetësh”.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes.
Rruga Press