Kafka e lashtë misterioze me pjesën metalike, ndan shkencëtarët
Shkencëtarët ende nuk mund t’i bien në fije prejardhjes së saktë të kafkës së zgjatur në të cilën është implantuar në pjesë metalike. S’kanë përgjigje nëse bëhet fjalë për një implant kirurgjik në kohë antike në Peru, apo për një proces kohësh moderne. Fakti që kafka – dhuruar Muzeut të Osteologjisë në Oklahoma City – ka formë të zgjatur ka deri diku shpjegim, sepse peruanët në kohët antike dinin t’ua shtrëngonin fëmijëve kokat me ca shirita me qëllim që të arrihej ajo formë. Por ajo që është e veçantë është pjesa metalike, e cila nëse është autentike do ta bënte këtë një gjetje unike nga bota antike.
Afër pjesës së metaltë në kafkë gjendet edhe një vrimë, e cila sipas të gjitha gjasave është vragë ose ndërhyrje mjekësore për luftimin e sëmundjes, e që ishte diçka e zakonshme në mjekësi në kohët antike.
Ekspertët e Muzeut të Osteologjisë në Oklahoma City ende nuk kanë dalë me rezultate përfundimtare nëse pjesa metalike është autentike. Zëdhënësi i Muzeut ka thënë se nuk është datuar ajo pjesë dhe që arkeologët e specializuar duhet të nisin analizat e detajuara të kafkës.
“Live Science” ka biseduar edhe me disa shkencëtarë të pavarur mbi prejardhjen e kafkës, por mendimet e tyre janë të ndryshme. Disa skeptikë kanë thënë se bëhej fjalë për një falsifikim, përderisa për taborin tjetër kafka mund të jetë një shembull i praktikës mjekësore në antikitet.
“Kam goxha mëdyshje nëse është autentike”, ka thënë antropologu John Verano, duke theksuar se implanti është i kohëve moderne edhe nëse kafka është e një kohe tjetër. “Shkurt, mendoj se bëhet fjalë për tentim që kafka të shndërrohet në një eksponat të vlefshëm koleksionistësh. Implanti mund të jetë vendosur para shumë dekadash, para se ai t’i jepej muzeut”, ka thënë Verano.
Të tjerë shkencëtarë, megjithatë, besojnë se bëhet fjalë për dëshmi nga mjekësia antike, por se është tepër herët që kjo të konfirmohet tash, pa analizat e detajuara.
“Kurrë më parë nuk kam parë diçka të ngjashme. Në bazë të fotografive duket se dikur metali është formësuar sipas kafkës”, ka thënë antropologia Danielle Kurin nga Universiteti i Kalifornisë. “Sipas thyerjes, ky person duhet të ketë pësuar një goditje me mjet të fortë në anën e djathtë të kokës. Rrathët koncentrikë të çarjes japin shenja të mbylljes së varrës, që do të thotë se ai person pas këtij lëndimi duhet të ketë jetuar edhe disa muaj a javë”, ka thënë Kurin.
Muzeu i Osteologjisë nuk ka dalë me njoftim zyrtar nëse po bën analiza të detajuara të kafkës.
Rruga Press