Lajme

Bashkia e Durrësit bën një sy qorr ndaj dëmtimit të monumenteve të kulturës

Mjaft skulptura urbane në Durrës kanë patur jetë të shkurtër, megjithëse sheshet e mëdha të zbrazura nga vlerat artistike nuk janë të pakët.

Prej disa ditësh monumenti kushtuar eksodit të 25 mijë shqiptarëve që u nisën nga porti i Durrësit drejt Italisë me anijen “Vlora” në vitin 1991 është dëmtuar.

Moti i keq apo ndonjë keqbërës kanë thyer një pjesë të faqes prej xhami ku shkruhet “Bari Durrës – Një det që na bashkon”.

Punonjësit e bashkisë, të ngarkuar gjatë periudhës parazgjedhore, nuk kanë ndërhyrë ende për ta riparuar faqen e dëmtuar të monumentit, që u përurua në gusht të vitit 2021 në prani të autoriteteve shqiptare dhe italiane.

Monumenti i vitit të kaluar, dhuratë e një grupi artistësh dhe intelektualësh nga qyteti në anën tjetër të detit Adriatik është i vetmi që u ngrit pas përurimit të shëtitores bregdetare në Durrës.

Projekti i rikonstruksionit të saj nuk parashikonte asnjë skulpturë urbane.

Vepra e dytë, nga skulptori Fuat Dushku, ishte ngritur 35 vjet më parë dhe simbolizon një luftëtar të panjohur.

Dy gladiatorët, edhe ato punuar vite më parë nga skulptori i mirënjohur Janaq Paço, instaluar  në lulishten pranë shëtitores dëmtohen vazhdimisht, dhe askush nuk ndërhyn për mirëmbajtjen e tyre.

Urbanisti Enea Papaj tha për BIRN, se këto janë një pjesë e vogël e monumenteve që i takojnë inventarit të bashkisë në të gjithë qytetin.

“Të gjithë skulpturat e parkut apo bustet që dëmtohen herë pas here apo që mungojnë nga sheshet ku ishin vendosur, janë përuruar kohë më parë dhe pjesërisht janë paguar nga qytetarët taksapagues,” tha Papaj.

Në sheshet e rimodeluar dhe të rindërtuar vitet e fundit në Durrës mugojnë skulpturat urbane, ndërsa një pjesë e atyre që u hoqën para zbatimit të projekteve janë braktisur në oborre ndërmarrjesh ose nuk dihet se ku kanë përfunduar.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Në vitet 2010, kompozimet skulpturore të derdhura në bronx përfaqësonin figura artistësh të huaj, si Lenon, Dilan, Tërner, Jager, etj., dhe brenda pak kohësh u kthyen në pika atraksioni turistik në qytetin bregdetar.

Që të gjithë këto monumente janë “strehuar” prej 6 vitesh në oborrin e një ndërmarrjeje në vartësi të bashkisë.

E ardhmja e tyre në hapësirat publike nuk dihet, ndërsa për vendndodhjen e busteve të Dom Nikoll Kaçorrit dhe kolonelit holandez Tomson nuk ka asnjë të dhënë të saktë.

Atë Bernard Caurana tha për BIRN se drejtuesit e komunitetit katolik duan ta vendosin bustin e Dom Nikollës, në obrrin e kishës “Shën Luçia” të qytetit, aty ku ai shërbeu si famullitar në kapërcyellin e shekujve 19-20.

“Pikërisht aty janë vendosur edhe eshtrat e tij, kur u sollën nga Viena para disa vitesh,” tha më tej atë Caurana, duke shtuar: “Do të ishte mirë që, duke qenë edhe n/kryetar i Qeverisë së Pavarësisë në vitin 1912, monumenti kushtuar Dom Nikollë Kaçorrit të vendosej në një nga sheshet e qytetit”.

Në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ministria e Kulturës organizoi një konkurs me pjesmarrjen e 30 artistëve vendas, por institucioni nuk i shpalli asnjëherë fituesit, ndërsa vetëm në vitin 2015 i njoftoi ata që të tërhiqnin bocetet për garën tashmë të harruar.

Skulptori Qazim Kërtusha, autor i bustit të patriotit dhe klerikut katolik tha për BIRN se ai nuk arrin ta gjejë veprën e tij, e cila qëndroi për 13 vite radhazi në një nga lulishtet që u sakrifikuan për ti hapur rrugë projektit “Veliera” në vitin 2016.

Bashkë me monumentin e dom Nikoll Kaçorrit, nga sheshi para portit janë larguar pa adresë edhe busti i Ismail Qemalit, themelues i shtetit shqiptar, si dhe ai i kolonelit Tomson.

Monumentet kushtuar figurës së ushtarakut hollandez kanë një histori “fatkeqe” gati shekullore.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Busti i fundit në nderim të tij u përurua në vitin 2015 në prani të autoriteteve më të larta shtetërore vendase, por nga nga Hollanda.

Ndërsa tre të tjerë të cilët i dedikoheshin kolonelit holandez, Lodewijk Willem Johan Karel Thomson janë ngritur që nga vitet 1930.

Skulptori Qazim Kërtusha thotë se aktualisht asnjë prej tyre nuk ekziston.

Trekëndëshi monumental pranë ish-hotelit “Vollga” që dallohet veçanërisht për tre topat luftarakë në qoshet e tij u ndërtua në vitit 1930 dhe bashkia e Durrësit ia kushtoi atë kolonelit holandez, Tomson.

Ushtaraku 45-vjeçar, që kishte mbërritur në Shqipëri për të organizuar xhandarmërinë vendase ra në krye të detyrës më 15 qershor të vitit 1914.

Një obelisk i lartë me një fregat, zog holandez që i ngjan shqiponjës mbi të, u derdh në bronx dhe u vendos në qendër të tre topave luftarakë, që vazhdojnë të hijeshojnë edhe sot kompleksin trekëndor, shumë pranë Torrës.

Heshtja 50-vjeçare gjatë periudhë komuniste për figurën e kolonelit trim nga “vendi i mullinjve” filloi me heqjen e simboleve, që populli shqiptar i kishte kushtuar.

“Shqiponja prej bronxi mbeti për shumë vite në oborrin e muzeut arkeologjik dhe më pas humbi pa nam e nishan,” shton skulptori Kërtusha.

Busti në nderim të kolonel Tomsonit u vendos në anën tjetër të Torrës vetëm në fillim të viteve 2000.

Një pllakë përkujtimore me mbishkrimin “Kolonelit L. W. J. K. Thomson dhe të gjith dishmorvet të tjerë qi shkrinë veten për lirinë e Shqipnisë populli i Durrsit u ngre këtë përmentore si kujtim njoftësije” u rikthye në të njejtën kohë mbi një kolonë antike të instaluar në bulevardin “Epidamn”, por edhe kjo pllakë ka humbur.

Ndërsa monumenti i dhuruar nga një shoqatë holandeze, që u vendos në anën tjetër të Torrës u largua vetëm një vit pas përurimit./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *