Ja çfarë thoshte Edi Rama në vitin 2013 për koncesionimin e naftës në Shqipëri dhe dëmin mbi shtetin
Këto qëndrime të Edi Ramës, që datojnë në vitin 2013, në prag të bërjes së tij kryeministër, na i risjell profesori Enis Sulstarova, për të treguar distancën që ka sot kryeministri i Shqipërisë me veten e tij të atyre viteve, sipas atyre gjërave që shprehte.
Këto qëndrime rivijnë sot kur në Shqipëri, në vendin me më shumë burime nafte në rajon, çmimet e karburanteve kanë kapur shifra të paprecedenta, më të larta se në çdo vend të rajonit dhe me çmimin e dytë më të lartë në Evropë, pas Gjermanisë.
Ja qe vjen koha per ta cituar Edi Ramen. Lexoni me poshte:
“Ne nuk e ndryshuam sistemin që rafineria e Ballshit të punojë 30 ditë në vit. Nuk e ndryshuam sistemin që nga Albpetroli të dali zero fitim dhe zero kontribut për buxhetin e shtetit dhe për shoqërinë tonë në vit. Zero! Ne nuk e ndryshuam sistemin që ta japim naftën me koncesione nga të cilat përfitojmë si shtet minimumin e të drejtës sovrane. Minimumin!
Asnjë vend tjetër që ka naftë nuk ja lejon dot vetes këtë që qeveria e Shqipërisë i ka imponuar këtij vendi dhe kësaj shoqërie; Të koncensionojë një pasuri kombëtare strategjike siç është nafta dhe nga këto koncesione të përfitojë minimumin e të drejtës sovrane, për të shkuar deri në pikën që të privatizojë Albpetrolin, duke dorëzuar të drejtën sovrane dhe duke guxuar që ta kthejë Albpetrolin në ministrinë e Naftës, por me pronarë privatë. Nuk e ndryshuam sistemin për të mbërritur në këtë pikë të hallit ku Shqipëria të mos përpunojë dot asnjë ton naftë, të çojë jashtë 1 milionë ton naftë që nxirren jashtë çdo standardi, jo në formën e shfrytëzimit të burimit, por në formën e grabitjes së burimit dhe ndërkohë që eksporton 1 milionë ton naftë, eksporton 650 mijë ton në vit me dyfishin e çmimit që fiton nga eksporti. Ku është parë kjo?! Kjo mund të shihet vetëm në një vend të shitur të tradhtuar, të braktisur nga ata që e qeverisin për ta sunduar, për ta vjedhur, për ta rrënuar”.
Edi Rama, 2013
Rruga Press