Lajme

Institucionet pasojnë fajin për mungesën e kontrollit në tregun e Dimalit

Çdo javë, një treg i hapur agro-ushqimor ngrihet në kryqëzimin e rrugëve që ndajnë tre qytete të Qarkut të Beratit, por asnjë prej institucioneve nuk do të mbajë përgjegjësi mbi sigurinë e ushqimeve që shiten aty.

Dita e premte është ditë tregu në bashkinë e Dimalit, portën hyrëse drejt bashkive të qarkut të Beratit. Ndërsa i afrohesh kryqëzimit mes tre bashkive: Dimal, Kuçovë dhe Berat, mes një vargu mjetesh zhvillohet tregu i hapur, ku mund të blihen nga fruta-perimet e deri te peshku apo bulmeti.

Tregu ku shesin dhjetëra tregtarë lëvizës improvizohet që në orët e para të mëngjesit deri në orët e mesditës. Me makina mallrash, arka dhe trasta, tregtarë të ndryshëm sajohen në dy anët e rrugës, duke i ofruar konsumatorit produktet e tyre.

“E kemi afër shtëpisë. Çmimet këtu janë pak më të lira se në dyqane, ndaj dhe blejmë këtu dhe pse është pak merak për bulmetin dhe peshkun që shitet në rrugë, por s’kemi çfarë të bëjmë,” thotë Namik Agalliu, pensionist.

Sipas ekspertëve të sigurisë ushqimore, këto tregje janë të pasigurta dhe për shkak të mungesës së rregullimeve ligjore, janë jashtë kontrollit.

“Rreziku është i lartë, sepse i gjithë zinxhiri është i pasigurt. Shëndeti i kafshëve, mjekimet e tyre me antibiotikë, kushtet higjieno-sanitare të mjeljes e përpunimit, enët, kushtet higjeno-sanitare dhe atmosferike në të cilat tregtohen, bëjnë që të gjitha hallkat e zinxhirit të sigurisë të mos jetë të sigurta,” thotë Granit Sokolaj, drejtor i Qendrës “Alert”, një NGO për kujdesin ndaj konsumatorëve.

Megjithatë, institucionet duket se nuk ofrojnë zgjidhje dhe ia lënë përgjegjësinë për sigurinë ushqimore njëra-tjetrës.

Bashkia e Dimalit, ish-Ura-Vajgurore thotë se kontrollin duhet ta kryejë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Por AKU mohoi të kishte të drejtë kontrolli mbi tregjet dhe i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informacion se autoriteti kontrollonte vetëm tregtarët e regjistruar. Përgjegjësinë mbi sigurinë e mohoi edhe zyra e Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në Berat.

Përplasja e institucioneve

Tregu i hapur në bashkinë e Dimalit. Foto: Eriola Azizolli.

Namik Agalliu, një prej blerësve në tregun e së premtes, i tha BIRN se ishte i qartë që produktet e blera nuk ishin të kontrolluara.  “Siguri nuk mund të pretendohet, se në rrugë shiten të gjitha, por ja tregojmë vetë kujdes duke i larë mirë, para se t’i ham”, thotë Agalliu.

Problematikat që ka ky treg me mënyrën se si tregtohen disa produkte ushqimore të ekspozuara gjatë gjithë ditës në mes të kushteve atmosferike, i pranojnë dhe vetë tregtarët e vegjël, por shprehen se nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të mbajtur familjet e tyre.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

“Po mundohemi që t’i mbajmë mallrat me shumë kujdes, por në rrugë janë dihet, ka pluhur, në rrugë jemi dhe vetë gjithë ditën, po ku të shtojmë tjetër,” thotë Bakiu, i cili së bashku me gruan e tij Verën shet ullinj në treg.

Bashkia Dimal i tha BIRN se ajo nuk ka përgjegjësi për sigurinë e produkteve që tregtohen aty.

“Kontrolli për sigurinë ushqimore është proces nën varësi të AKU-Berat, dhe AREB-it Berat, bashkia ka qënë pjesë mbështetëse në kontrollet e tyre,” tha Bashkia Dimal në një përgjigje zyrtare për BIRN.

Sipas bashkisë Dimal, institucionet përgjegjëse për kontrollin e sigurisë së produkteve ushqimore të këtij tregu, por dhe atij të Poshnjes, janë Autoriteti i Kontrollit Ushqimor Berat (AKU) dhe  Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor Berat.

Por, ndryshe nga pretendimi i bashkisë së Dimalit, dy institucionet që ajo përmend, AKU dhe AREB, deklarojnë se ato nuk kanë asnjë detyrim për kontrollin e produkteve që shiten në këto tregje.

“Ju informojmë se kontrolli zyrtar i tregjeve të hapura nuk është kompetencë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, por e pushtetit vendor. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ushtron kontroll zyrtar vetëm tek tregtarët që ushtrojnë aktivitet brenda këtyre tregjeve, të regjistruar si Operatorë Biznesi Ushqimor,” tha zyrtarisht AKU.

AKU madje kundërshtoi edhe pretendimin e bashkisë se kishte marrë pjesë në ndonjë aksion kontrolli me mbështetjen e kësaj të fundit.

“Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Qarku Berat gjatë tre viteve të fundit nuk ka qenë pjesë e ndonjë task-force për inspektimin e tregjeve të hapura, pasi siguria dhe cilësia e produkteve që tregtohen në këto tregje është po ashtu kompetencë e pushtetit vendor”, thotë AKU.

Edhe institucioni tjetër që ngarkon me përgjegjësi bashkia, Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor në Berat, nëpërmjet përgjegjësit të agronomëve, bëri me dije se nuk ka kompetencë kontrollin e produkteve në këto tregje.

“Ofrohen shërbime këshillimore, që lidhen me shërbimet në fushën e bujqësisë, farat, etj dhe nuk ka kompetencë që të kontrollojë cilësinë e produkteve në tregjet e hapura,” tha Adriatik Seriani në një lidhje telefonike për BIRN.

Granit Sokolaj nga Qendra “Alert” shpjegon se kontradiktat mes tre institucioneve vinin edhe për shkak të boshllëkut ligjor. “Fatkeqësisht kemi një boshllëk ligjor dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kontrollon/inspekton vetëm subjektet që kanë NIPT. Ligji për Ushqimin dhe ai për Inspektimin nuk e detyrojnë AKU të kontrollojë këto kategori tregjesh,” tha Sokolaj.

Në lidhje me produktet që shiten në këto tregje, veçanërisht qumështi dhe nënproduktet e tij apo peshku dhe mishi,  Sokolaj thotë se siguria ushqimore është e vështirë për t’u kontrolluar.

Lexo më shumë  Sveçla: Filloi punën grupi punues që do të hartojë Strategjinë Nacionale kundër krimit të organizuar

“Në kushte të tilla është i ndaluar dhe tregtimi i peshkut, për të cilin nuk dihet se ku është peshkuar, në ç’kushte është mbajtur, sa kohë është mbajtur dhe në ç’kushte tregtohet,” shton ai, ndërsa thekson se munga e kontrollit penalizon konsumatorët.

Tregu në rrugë

Në tregun e së premtes ku ofrohet gjithçka, tregtarët ulen buzë trotuareve dhe vendosin produktet mbi kuti kartoni apo plastike dhe presin klientët, që janë kryesisht banorë të zonës. Disa shesin produktet e tyre të kultivuara apo prodhuara në shtëpi. Të tjerë sjellin çikërrima apo rroba.

Më parë, ky treg zhvillohej pjesërisht mes një blloku pallatesh në qendër të qytetit, por prej disa muajsh bashkia e Dimalit e ka spostuar atë në rrugë.

Informaliteti dhe mungesa e kontrollit janë të dukshme edhe për tregtarët, që mundohen t’i fshihen aparatit fotografik pas pemëve në anë të rrugës.

Bashkia e Dimalit, tregun e së premtes, por dhe atë ngjashëm që zhvillohet ditën e mërkurë në Njësinë Administrative Poshnje, i cilëson si të menaxhueshëm nga ana e policisë bashkiake.

Por për Policisë e Shtetit, tregu është një problem shtesë në lidhje me sigurinë rrugore, pasi lëvizja e mjeteve dhe e njerëzve në rrugë bëhet e vështirë.

“Nga monitorimet e vazhdueshme të shërbimeve të policisë rrugore, të trafikut urban në territorin e bashkisë Dimal si dhe nga shqetësimet e ngritura nga komuniteti rezulton se tregu që zhvillohet çdo ditë të premte në aksin rrugor nga fillimi i pedonales deri në qendër të qytetit përbën rrezik të shtuar për ngjarje rrugore me pasoja për jetën dhe pronën e qytetarëve,” thotë për BIRN drejtori i Drejtorisë Vendore të Qarkut Berat,  Edmond Tarkaj.

Ai thotë se policia është munduar ta adresojë këtë problem, duke i shkruar herë pas here bashkisë. Sipas tij të njëjtën problematikë ka dhe tregu në Njësinë Administrative Poshnje dhe në bashkinë Skrapar.

Bashkia, e cila e ka tregun në hyrje të godinës së saj, thotë se ka tashmë një projekt për spostimin, por nuk ka prona të sajat në të cilat mund ta vendosë.

“Kemi një projekt, por për zbatimin e tij presim transferimin e pronës nga Ministria e Mbrojtjes”, argumenton bashkia Dimal.  Ndërkohë, policia thotë se është e detyruar të shtojë forcat në rrugë.

“Nga ana e Sektorit të Policisë Rrugore Berat janë marrë masa që në ditët e zhvillimit të këtyre tregjeve të ketë një shërbim policor të pranishëm për të shmangur problemet,” tha ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *