Kryqi Kuq: Shtyhen evakuimet nga Mariupoli dhe Volnovakha
“Ne po kuptojmë se operacionet e kalimeve të sigurta nga Mariupoli dhe Volnovakha nuk do të fillojnë sot”, ka deklaruar Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në një postim në Twitter.
Pjesëtarët e organizatës që janë në terren thonë se “të copëtohet zemra nga situata në këto dy qytete”.
Sipas tyre, prioritet mbetet “siguria dhe mirëqënia e civilëve që po përjetojnë situata të tmerrshme në Ukrainë”.
Ata i kanë bërë thirrje palëve të “mbrojnë qytetarët edhe infrastrukturat civile”, në përputhje me ligjet ndërkombëtare.
Autoritetet ukrainase njoftuan më parë pezullimin e misionit humanitar për shkak se trupat ruse po vazhdonin bombardimet.
Ata akuzuan Rusinë se ka shkelur marrëveshjen mbi hapjen e dy korridoreve që do të mundësonin evakuimin e civilëve nga këto zona.
Nga ana tjetër, Rusia pretendon se nacionalistët ukrainas kanë ndaluar largimin e civilëve nga qytetet.
Rruga Press