Pallatet “kapin qiellin”, futja e TVSH-së do të reflektohet në rritjen e çmimeve të apartamenteve
Ndërtimi në Shqipëri për vitin e kaluar ka pasur kosto më të larta se viti 2020. Këtë e konfirmon edhe INSTAT në anketën e fundit ku shprehet se indeksi i kostos në ndërtim u rrit me 3.1% më shumë se viti i pandemisë. Kjo ka ardhur për shkak të çmimeve në rritje të materialeve të ndërtimit dhe transportit.
Kostot në sektorin e ndërtimit për vitin që lamë pas kanë arritur nivelin më të lartë të dekadës si rrjedhojë e shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit dhe transportit. Referuar të dhënave më të fundit të INSTAT, indeksi i çmimit të ndërtimit ka pësuar një rritje prej 3.1 për qind krahasuar me vitin 2020.
Fatura e ndërtimit u rrit me 1 për qind krahasuar dhe me tremujorin e tretë të vitit 2021.
Bizneset e ndërtimit janë përballur me shpenzime më të larta për blerjen e materialeve, transportin dhe pagat. Pothuajse e njëjta situatë paraqitet edhe përsa i përket ndryshimit tremujor.
Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin shpenzime për transport me 4.5 %, ndjekur më pas nga shpenzimet për materiale ndërtimi me 4.1 % dhe shpenzimet për paga me 2.9%.
Gjatë periudhës në fjalë rezulton se i vetmi grup ku është reflektuar rënie janë shpenzimet për makineri me një tkurrje prej 0.2%.
Rritja e kostove të ndërtimit ka sjellë dhe rritjen e çmimeve të apartamenteve për qytetarët. Veç kësaj, qeveria parashikon në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2022-2026 futjen e skemës së TVSH-së në shitjen e parë të banesave të reja rezidenciale.
Ligji aktual e ka përjashtuar aplikimin e TVSH-së për shitjen e banesave. Ajo aplikohet për procesin e ndërtimit të tyre nga subjektet. Sipas ekspertëve, futja e TVSH-së do të reflektohet në rritjen e çmimeve të apartamenteve.
Rruga Press