ERE shfuqizon licencën e hidrocentralit në Zall Gjoçaj 4 muaj pas vendimit të gjykatës
Enti Rregullator i Energjisë vendosi të pezullojë licencën që i kishte dhënë shoqërisë “Seka Hydropower”shpk për të prodhuar energji në HEC-in “Zais”. Por aktivistët mendojnë se vendimi është i vonuar.
Enti Regullator i Energjisë njoftoi se kishte vendosur pezullimin e vendimit për licencimin e shoqërisë “Seka Hydropower”shpk, në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC “Zais”.
ERE tha se vendimi ishte marrë bazuar në vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, më 10 nëntor të vitit 2021. Gjykata Administrative e Apelit vendosi pezullimin e vendimit të ERE që licenconte kompaninë “Seka Hydropower” për të prodhuar energji nga HEC në “Zais” në Zall Gjoçaj. Vendimi i ERE-s për licencimin e shoqërisë ishte marrë një vit më parë në datën 10 nëntor 2020 dhe u kundërshtua nga banorët fillimisht pranë Entit dhe më pas edhe në Gjykatë Administrative, pasi një pjesë e tubacionit shtrihej në zonën e mbrojtur.
Për Dhimitër Kolecin, një prej banorëve që kundërshton ndërtimin e hidrocentralit, ky vendim i ERE është i vonuar, pasi ka lejuar kompaninë të prodhoj energji në kundërshtim me vendimin e gjykatës për katër muaj. “ERE do të duhej ta kishte zbatuar që ditën e nesërme, vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit që është një vendim i formës së prerë. ERE e mbajti në sirtar dhe e la për plot katër muaj firmën kontrabandë”, tha Koleci.
Dorina Ndreka avokatja e banorëve të Zall Gjocaj në një qëndrim për BIRN tha se ky vendim i ERE vjen pas kallëzimit penal që kanë bërë banorët në Prokurorinë e Tiranës. Sipas saj, që nga momenti i vendimit të Apelit si vendim i formës së prerë do të duhej të ishte i ekzekutueshëm menjëherë. “Kodi Penal është shumë i qartë se mos ekzekutimi i vendimeve gjyqësore është vepër penale dhe nuk ka vend për diskutime. ERE ka legjitimuar prodhimin e energjisë elektrike që nga nëntori 2021 deri ne mesin e shkurtit për HEC-in që ndodhet brenda zonës së mbrojtur”, tha avokatja.
Kundër vendimit të Gjykatës së Administrative të Apelit, për pezullimin e vendimit të licencimit të shoqërisë “Seka Hydropower” shpk, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, Avokatja e Shtetit dhe kompania. Por sipas vendimit të ERE kjo gjykatë nuk e ka marrë ende në shqyrtim rastin.
Leja për HEC-it në Zall Gjocaj u miratua në tetor të vitit 2018-të nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por që prej fillimit të punimeve banorët dhe përfaqësues të shoqërisë civile e kanë kundërshtuar ndërtimin e HEC, shoqëruar me protesta në terren dhe para gjykatave. Zona Lurë – Dea, bën pjesë në listën e zonave të mbrojtura si monument natyre, së bashku me kanionet e Flimit dhe të Urakës si monumente gjeonatyrore./reporter.al/
Rruga Press