Jesse Owens, njeriu me ngjyrë që ia prishi planet Hitlerit për Lojërat Olimpike 1936
Në vitin 1933, pak pasi e mori pushtetin si kancelar i Gjermanisë, synimet e Adolf Hitler kishin të bënin me planet e tij për t’i shëndrruar Lojërat Olimpike Verore dhe Dimërore të vitit 1936 në një sukses për regjimin e tij. Përmes këtyre lojërave olimpike Hitleri priste të shpërfaqte racën e tij superiore Ariane.
Lojërat Olimpike të vitit 1936 ishin një shfaqje dhe infuzion i nacionalizmit ekstrem dhe politikës. Ai urdhëroi ndërtimin e një stadiumi masiv të ri në Berlin dhe ndau fonde shtesë për ndërtimin e një aeroporti për të mirëpritur vizitorët ndërkombëtarë.
Lojërat Olimpike të vitit 1936 u mbajtën në një atmosferë të tensionuar, të ngarkuar politikisht. Partia Naziste ishte ngritur në pushtet në vitin 1933, dy vjet pasi Berlini kishte fituar të drejtën e nikoqirit të mbajtjes së Lojërave Olimpike, ndërkohë që politikat raciste të regjimit nazist provokuan një debat të madh ndërkombëtar rreth bojkotit të Lojërave.
Nga frika e një bojkoti masiv, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, IOC, bëri presion mbi qeverinë gjermane dhe mori garanci se atletët e kualifikuar hebrenj do të ishin pjesë e ekipit gjerman dhe se Lojërat Olimpike nuk do të përdoren për të promovuar ideologjinë naziste.
Qeveria e Adolf Hitlerit, megjithatë, në mënyrë rutinore, nuk arriti të realizonte premtime të tilla. Vetëm një atlet me origjinë hebraike ishte anëtar i ekipit gjerman (Helene Mayer) ndërsa pamfletet dhe fjalimet rreth dominimit natyror të racës ariane ishin të zakonshme. Reich Sports Field (Fusha e Sporteve Reich), një kompleks sportiv i ndërtuar rishtas që mbulonte 131.5 hektarë dhe përfshinte katër stadiume, u mbulua me parulla dhe simbole naziste. Sidoqoftë, pjesëmarrja në një garë të tillë sportive konsiderohej shumë e rëndësishme nga shumë vende të botës dhe në fund 49 shtete vendosën të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike të vitit 1936 në Berlin.
Për më tepër, Lojërat Olimpike kishin për qëllim të ishin të parat që do të arrinin audiencën në të gjithë botën përmes televizionit, si dhe të parat që shfaqin elementin tashmë tradicional të stafetës së pishtarit Olimpik.
Sigurisht, ndërkohë që Lojërat Olimpike kanë si qëllim gjoja për të sjellë së bashku një mori racash dhe kulturash në një spektakël konkurrimi, Fuhrerit i kishin hyrë shumë pak në përdorim nocione të tilla të unifikimit. Në fakt, ai qëllimisht i kishte minimizuar shanset e Gjermanisë së tij për sukses duke i mbajtur hebrenjtë sa më larg klubeve dhe ngjarjeve atletike, duke i eliminuar fituesit e mundshëm të medaljeve olimpike, të tillë sikurse kërcyesi në lartësi, Gretel Bergmann.
Hitleri i konsideronte garuesit Afro-Amerikanë si rrezik për suksesin e tij
Atleti afro-amerikan, Jesse Owens, u shëndrrua në një super yll ndërkombëtar në Lojërat Olimpike të vitit 1936. Personaliteti i tij i gjallë dhe përpjekjet e tij dominuese çuan në adhurimin e tij nga miliona tifozë në të gjithë botën dhe vendin e tij në mesin e atletëve më të mirë ndonjëherë për të garuar në Lojërat Olimpike.
Jesse Owens ishte shfaqur si një sensacion vrapimi në Shtetet e Bashkuara. Ai e arriti rekordin botëror në vrapimin prej 100 metrash ndërkohë që ishte ende në shkollë të mesme dhe performanca e tij në Kampionatin e Big Ten Championships të vitit 1935, në të cilën ai vendosi tre rekorde botërore dhe u ndesh me një të katërtin në një hapësirë prej 45 minutash, mbetet një nga arritjet më të jashtëzakonshme në historinë kolegjiale të sporteve.
Getty Images
Ai nuk ishte i vetmi atlet afrikano-amerikan që po linte gjurmë suksesi në këto Lojëra Olimpike. Afro-Amerikani tjetër, Ralph Metcalfe, ishte një medalist i argjendtë në Lojërat Olimpike 1932 dhe në një moment ndau rekordin botëror në vrapimin e 100 metrave.
Po ashtu, një garues sprinter i Universitetit Temple me emrin Eulace Peacock u shfaq si një kundërshtar shumë i frikshëm ndaj Owens, madje edhe duke e mposhtur atë shumë herë në konkurrencë kokë më kokë në vitin 1935, para se të pësonte një dëmtim të kërcellit që i shkatërroi shpresat e tij Olimpike të vitit 1936.
Shtetet e Bashkuara pothuajse i bojkotuan Lojrat Olimpike 1936
Para se të fillonin Lojërat Olimpike 1936 në Gjermani, ekzistonte një rrezik potencial që Jesse Owens ta humbiste shansin për të qenë pjesë e tyre. Të vetëdijshëm për politikat diskriminuese të Hitlerit kundër hebrenjve – por ende jo të vetëdijshëm për qëllimin e tmerreve që do të vijnë – vendimmarrësit amerikanë kishin zhvilluar një debat të ashpër nëse do të duhej t`i bojkotonin Lojërat Olimpike të vitit 1936.
Presidenti i Unionit Atletik Amator, Jeremiah Mahoney, argumentoi se përmes pjesëmarrjes po mbështetej Rajhu i Tretë, mirëpo një gjë e tillë u evitua nga kreu i Komitetit Olimpik Amerikan, Avery Brundage, i cili këmbënguli se Lojërat ishin për atletët dhe jo për politikanët.
Ashtu si atletët e tjerë elitë afro-amerikanë të cilët ishin rritur në një shoqëri diskriminuese, Owens e konsideroi qëndrimin moral ndaj Gjermanisë si hipokrite dhe nuk ishte i prirur të lejonte që t’i ikte rasti i shkëlqyer duke u paraqitur në një skenë globale. Ai përfundimisht shprehu dëshirën e tij për të garuar në këto lojëra, një qëndrim ky që nxiti reagimin dhe dënimin e këtij veprimi përmes gazetave të atëhershme afrikano-amerikan si dhe reagimin e Walter White, liderit të Shoqatës Kombëtare për Avancimin e Njerëzve me Ngjyrë, NAACP.
Getty Images
Jesse Owens u bë amerikani i parë që fitoi katër medalje të arta në një garë atletike
Pothuajse qysh nga fillimi, Owens e mori epitetin e yllit të Lojërave Olimpike Verore të vitit 1936. Ai e fitoi Medaljen e Artë qysh në garën e tij të parë, vrapimin në 100 metra, dhe pasoi me një fitore me shumë pompozitet kundër kampionit gjerman Luz Long në kërcim së gjati.
Pasi vendosi një rekord olimpik në kategorinë e vrapimit prej 200 metrash drejt një medalje të tretë të artë, Owens vazhdoi tutje me një performancë impresive për SHBA në kategorinë 4×100. Ai u bë amerikani i parë që fitoi katër medalje të arta në atletikë në një Olimpiadë të vetme, një rekord që mbeti i paprekur derisa atleti amerikan Carl Lewis e theu atë në vitin 1984.
Megjithëse ishte raportuar kryesisht se Hitleri “e kishte trajtuar me përbuzje” Owensin për shkak se ky kishte diskredituar atletët të tij të çmuar Arianë, në të vërtetë, ai iu përgjigj një kërkese për t’i trajtuar fituesit në mënyrë të barabartë dhe nuk pranoi ta uronte publikisht asnjërin prej atletëve pas ditës së parë të garës. Raporte të tjera thonin se Fuhrer kishte përshëndetur Owensin nga distanca, ndoshta i ndikuar nga brohoritjet e mëdha të adhuruesëve në drejtim të Owensit.
Getty Images
Përkundër “përçmimit” nga Hitleri, Owens la gjurmë të mëdha globale
Ashtu sikurse edhe me të ashtuquajturin “përçmim” nga Hitleri, rrëfimi rreth Olimpiadës së vitit 1936 është zbutur dhe thjeshtuar me kalimin e viteve. Përkundër arritjeve të Jesse Owens dhe shokëve të tij të skuadrës, Gjermania mund të pretendonte përsëri epërsi atletike duke fituar më shumë medalje.
Më e rëndësishmja, Lojërat Olimpike në Berlin patën sukses, të paktën, në formë propagande, duke vënë në pah Partinë Naziste si mikpritëse dhe të rregullt megjithëse ishte në prag të fillimit të një lufte tjetër dhe shfarosjen e miliona hebrenjve.
Në rrafshin personal, vëmendja kryesore rreth Lojërave Olimpike të vitit 1936 ishte e fokusuar në karrierën e pastajme të afro-amerikanit Jesse Owens, i cili u përball me realitetin e ftohtë të të qenit një zezak në Amerikën e epokës së Depresionit të Madh. Në pamundësi të materializimit të mundësive të tij ekonomike, ai u detyrua të garonte kundër kuajve dhe të bënte punë tjera poshtëruese për vite me radhë derisa, më në fund, arriti të emërohej si ambasador qeveritar në vitet 1950.
Edhe pse historia e shfaqjes së tij triumfuese në ato Lojëra Olimpike mbetet akoma e gjallë dhe si i tillë nuk arriti t`i ndalojë makinacionet e regjimit nazist, padyshim se Owens e vodhi vëmendjen e liderit nazist të shtetit nikoqir.
Për më tepër, ai tregoi që Njeriu me Ngjyrë mund të jetë pjesë suksesit dhe të arriturave në një botë të barabartë për të gjithë, një përpjekje që pastaj u hapi rrugën edhe yjeve të ardhshëm sportivë afrikano-amerikanë të tillë si Jackie Robinson, lojtar i bejsbollit, duke e i dhënë mundësinë lëvizjeve për të drejtat civile që të luftojnë për të drejtat e tyre të barabarta me të gjithë popujt e botës. kallxo/