Siguria në Ballkan, temë diskutimi e Von Cramonit me përfaqësuesit politikë
Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor pas pushtimit rus të Ukrainës ka dominuar diskutimet e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, me përfaqësuesit e institucioneve.
Pasditen e së enjtes, Von Cramon është takuar me kryeministrin Albin Kurti, e që përveç zhvillimeve në Kosovë, është diskutuar edhe për situatën në Ukrainë.
E në takimin e tij me Von Cramonin, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, sipas njoftimit nga zyra e tij, e ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO.
“Kryetari i Kuvendit tërhoqi vëmendjen se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka dëshmuar rreshtimin përkrah Perëndimit dhe përkushtimin e paluhatshëm ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike. Sipas tij, anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në BE dhe në NATO do t’i shërbente jo vetëm sigurisë rajonale dhe evropiane, por edhe asaj globale, e rrezikuar seriozisht nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës”, ka thënë Konjufca.
Von Cramon është takuar edhe me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi. E përveç për Ukrainën, sipas Abazit, me eurodeputeten kanë biseduar edhe për krizën energjetike e rritjen e çmimeve.
“Diskutuam për zhvillimet në Ukrainë, qëndrimet dhe veprimet e Perëndimit; krizën energjetike dhe rritjen e çmimeve dhe aspekte të tjera të rritjes së mundësive për zhvillim dhe parandalim të pasojave të çrregullimit të linjave të furnizimit. Do ta vazhdojmë bisedën në Strasburg në javën e ardhshme”, ka thënë Abazi.
Një ditë më parë, raportuesja për Kosovën është takuar edhe me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, derisa të enjten ka marrë pjesë edhe në seancën ku është votuar rezoluta për Ukrainën.
Rruga Press