Lajme

DASH: Shqipëria bazë lokale për trafikantët ndërkombëtarë të drogave

Shqipëria është një vend burim i kanabisit dhe një bazë lokale për grupet e krimit të organizuar që lëvizin drogat e paligjshme nga vendet e origjinës në tregjet evropiane. Ky është vlerësimi i Raportit vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, i cili përfshin gjithashtu dhe një tjetër kapitull mbi pastrimin e parave, sipas të cilit “Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj Pastrimit të Parave për shkak të korrupsionit, pranisë së rrjeteve të krimit të organizuar dhe boshllëqeve në legjislacion dhe mbikëqyrje”.

Gjendja e trafikut të lëndëve narkotike

Sipas raportit “kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët kombëtarë shqiptarë”, të cilët vlerësohen se “luajnë një rol të madh në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe rrjetet e krimit të organizuar”. Shqipëria konsiderohet si “një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar”, ndërsa vihet në dukje se “grupet shqiptare të krimit të organizuar janë të pranishme në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe në të gjithë Evropën, si dhe në Amerikën e Jugut, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë dhe Perunë”. Grupet shqiptare vlerësohet të kenë shtrirë praninë e tyre në të gjitha hallkat e trafikut që nga blerja, transporti, shpërndarja deri te zinxhiri i shitjeve në Evropë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Raporti thekson se “autoritetet shqiptare regjistruan një rritje të konfiskimeve të kokainës në Portin e Durrësit në vitin 2021, kryesisht në dërgesat e bananeve nga Ekuadori” dhe se “forcat shqiptare të rendit shqiptar morën pjesë në disa operacione të zbatimit të ligjit në shumë shtete në vitin 2021, me shtetas shqiptarë të arrestuar ndër të tjera në Greqi, Itali, Spanjë dhe Holandë”. Po ashtu në raport përmendet dhe bashkëpunimi me homologët amerikanë për arrestimin dhe sekuestrimin e dërgesave të narkotikëve si dhe të laboratorëve të përpunimit të drogës në Shqipëri, apo sekuestrimin e aseteve në Shqipëri, të lidhura me trafikun ndërkombëtar ndërkombëtar të drogës.

Prokuroria e Posçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, vlerësohet të ketë “regjistruar disa suksese në vitin 2021, duke përfshirë arrestimin e 38 personave, përfshirë një prokuror dhe disa zyrtarë të lartë të policisë, si pjesë e një hetimi të madh ndërkombëtar për trafikun e lëndëve narkotike”.

Lexo më shumë  Murati për subvencionimin e tarifave të energjisë: Plotësoni numërin e saktë të pjestarëve të familjes

Sipas raportit “sundimi relativisht i dobët i ligjit, korrupsioni dhe niveli i lartë i papunësisë janë nxitësit kryesorë” të fenomenit të drogës në Shqipëri. Krimi i dhunshëm në Shqipëri është shpesh i lidhur me krimin e organizuar dhe, gjyqtarë, prokurorë, policë dhe gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve”.

Raporti vë në dukje se “grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat në Shqipëri dhe të kontribuojnë në korrupsionin në vend. Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet për reformën në drejtësi, të forcojë rregulloret dhe mbikëqyrjen kundër pastrimit të parave dhe të punojë për të gërryer ndikimin e krimit të organizuar në të gjithë qeverisjen dhe shoqërinë”.

Pastrimi i parave

“Ndërkohë që Qeveria ka bërë përparim drejt pengimit të pastrimit të parave gjatë vitit 2021, mbetet shumë më tepër për të bërë”, thekson raporti në kapitullin dedikuar këtij fenomeni.

Trafikimi i lëndëve narkotikëve dhe aktivitetet e tjera të krimit të organizuar, përfshirë trafikun e qenieve njerëzore, apo dhe evazionin fiskal dhe kontrabandën konsiderohen si “burimet kryesore të fondeve të pastruara”. Ndërsa pozicioni gjeografik i Shqipërisë dhe prania e rrjeteve shqiptare në krimin e organizuar në Evropën Perëndimore dhe Amerikën e Jugut “e bëjnë atë edhe më të dobët”.

Shqipëria, sipas raportit, “mbetet e pambrojtur ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, pranisë së rrjeteve të krimit të organizuar dhe boshllëqeve në legjislacion dhe mbikëqyrje”, ndërsa theksohet se vendi”ka një ekonomi të madhe cash dhe një sektor informal, me dërgesa të konsiderueshme të emigrantëve dhe flukse parash investimesh nga jashtë”.

Sektori i ndërtimit, i pronave të paluajtshme dhe përfshirja në sipërmarrje janë, sipas raportit, ndër metodat më të përhapura të pastrimit të të ardhurave të paligjshme. “Ndërsa shumica e objekteve të lojërave të fatit u mbyllën dhe u shpallën të jashtëligjshme në vitin 2019, legjislacioni ende lejon lojërat në kazino në hotelet me pesë yje. Bastet online, edhe pse të paligjshme, përsëri ndodhin përmes platformave të vendosura jashtë Shqipërisë”.

Shqipëria, shpjegon raporti, vazhdon të përdorë ligjin e saj antimafia për të sekuestruar kompanitë e lidhura me trafikun e drogës dhe korrupsionin. Reformat e vazhdueshme gjyqësore kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për trajtimin e pastrimit të parave. Megjithatë, këto përpjekje ende pengohen nga sfidat e kapaciteteve, mbikëqyrja e pamjaftueshme e sektorëve të caktuar dhe nevoja për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet organeve të zbatimit të ligjit dhe atyre mbikëqyrëse.

Lexo më shumë  FSK shënon sot Ditën e Forcës

Raporti vë në dukje disa ndryshime në kuadrin legjislativ që synojnë parandalimin e pastrimit të parave, por “zbatimi i ndryshimeve të fundit ligjore dhe të politikave ka qenë jokonsistent”. Raporti vëren se legjislacioni në fuqi “është efektiv në sekuestrimin fillestar të pasurisë”, por “përmbushja e kërkesave të provave për sekuestrimin përfundimtar të pasurisë mbetet sfiduese”.

Raporti thekson se “Shqipëria duhet të zbatojë në mënyrë efektive ligjet ekzistuese, të ushtrojë funksione efektive mbikëqyrëse, të përmirësojë bashkëpunimin mbikëqyrës dhe ligjzbatues dhe të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet e policisë dhe prokurorëve të saj për t’u fokusuar në korrupsionin, pastrimin e parave dhe krimet ekonomike. Zbatimi i reformave thelbësore të kodit penal në 2016 dhe 2017, është ende një sfidë. Përkundër një numri të konsiderueshëm të hetimeve të pastrimit të parave në vitet e fundit, numri i ndjekjeve penale të lidhura me të, mbetet i ulët”.

Raporti vë në dukje se në nëntë muajt e parë të vitit 2021, ka pasur 32 dënime individuale për pastrim të parave, dhe se Policia e shtetit iu referoi prokurorëve 318 raste të pastrimit të parave në nëntë muajt e parë të vitit 2021. Në nëntë muajt e parë të vitit 2021, 1135 persona janë ndjekur penalisht për korrupsion, një rritje prej 37 për qind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2020. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara regjistroi 19.7 milionë dollarë në para dhe prona të sekuestruara në gjashtë muajt e parë të 2021, një rritje nga e njejta periudhë e një viti më parë. Raporti përmend dhe sekuestrimin nga SPAK-u “të miliona dollarëve pasuri, përfshirë pasuri të paluajtshme, aksione të korporatave dhe dy kanale televizive, nga Ylli Ndroqi, një biznesmen i akuzuar për pasuri të pabazuara dhe lidhje me trafikun e drogës”./VOA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *