Eurodeputeti i shkruan letër kryeministrit grek: Është koha që Greqia ta njohë Kosovën
Është koha që Greqia ta njohë Kosovën, ka qenë kërkesa me të cilën i është drejtuar eurodeputeti, Lukas Mandl, kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, të martën.
Në letrën drejtuar liderit grek, Mandl ka thënë se përderisa Bashkimi Evropian është i bashkuar në sanksionet ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, është diçka që në bllokun evropian i mungon uniteti.
“Njohja e shtetit më të ri në Evropë, Republikës së Kosovës. Siç e dini, Greqia është në mesin e pak shteteve anëtare që ende s’e ka njohur. Kosova është frenuar në zhvillim, në rajon për shkak të shtetit serb dhe në botë për shkak të shtetit rus. Është e qartë se lidershipi rus ka pasur qëllime të ndajë Evropë, shtetet, institucionet e shoqërinë për shumë vjet. Për momentin, duket se këto përpjekje kanë dështuar për shkak të sulmit në Ukrainë dhe brutalitetit të saj”, ka thënë në letër Mandl.
Ai më pas i ka shtuar letrës një pjesë të rezolutës që Parlamenti Evropian miratoi të martën për “agresionin e Rusisë kundër Ukrainës”. Në këtë pikë vihet theksi te dënimi që i bëhet qëndrimit të Serbisë për të mos vënë sanksione ndaj Rusisë.
“Sipas meje, ne si Bashkim Evropian nuk duhet ta humbim ‘momentumin’ për të kompletuar unitetin me njohje reciproke të secilit shtet evropian. Për këtë arsye, me zemër ju inkurajoj të vendosni pozitivisht për njohjen e Republikës së Kosovës nga Greqia. Tani është koha! Sa më shpejt që të ndodhë njohja nga shtetet e mbetura anëtare, aq më mirë për unitetin tonë dhe fuqinë në këto kohëra të vështira të luftës dhe kërcënimeve”, ka thënë në letrën e tij Mandl.
Letra u ka shkuar edhe krerëve evropianë, përfshirë presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Rruga Press