Situata botërore u qartësua: nuk mund të jesh as pacifist e as neutral
Nga Elvis Hoxha
Shënime mbi disa prej kundërthënieve ose të papriturave që nuk do të duhej të pengonin mendimin tonë:
– Zbulimi se Vuçiçi do të mbajë anën e Rusisë duhet të jetë risi vetëm për idiotët që nuk dëgjonin dhe as kuptonin dy argumente të thjeshtë dhe shumë të dukshëm: 1. Rusia sillet në Bashkimin Sovjetik e më tej siç sillet Serbia në Jugosllavi e më tej; 2. Anëtari i KGB-së bëhet president i Rusisë, shefi i informacionit të Milosheviçit bëhet president i Serbisë.
– Nëse parimi është globalizmi, ai nuk mund të jetë vetëm i tregut, por dhe i vlerave të tjera shoqërore e politike. Me kriminelin mos hyr në pazar, sepse do të të dalë shtrenjtë. Tregu nuk mund të jetë përpara demokracisë. Ky parim duhet të sundonte në mendjen e Perëndimit, dhe jo homo economicus.
– Zelensky është president i Ukrainës, komandant i forcave të armatosura. Kapiteni i anijes qëndron i fundit në anije. Kështu që Zelensky po kryen vetëm detyrën.
– Demokracia cilësore dhe paqja cilësore do të kërkonte, atë që është deklaruar me kohë nga Albin Kurti para personaliteteve të BE-së: 1. Plan Marshall për Ballkanin; 2. Integrimin e të gjashtë shteteve të Ballkanit perëndimor në BE. Nëse Serbia e zgjodhi Rusinë dhe jo BE-në, Evropa nuk ka më pse e pret për anëtarësim. Evropa duhet të pranojë vetëm shtetet e Ballkanit perëndimorë që janë me ide dhe frymë për në Evropë. Ndoshta duhet të shohë me të njëjtin dyshim edhe Maqedoninë e Veriut.
– Ndërhyrjet në sovranitetin e shteteve duhet të kryhen në bazë të mendimit të hapur e humanist, dhe jo të forcës dhe dhunës së mundshme.
– Popujt nuk janë të gjorë, por fajtorë po aq sa diktatorët e tyre. Populli rus ka sot përgjigjësi për mbajtjen e një rreziku botëror në krye të vendit.
– Për të gjitha ata që mendojnë se NATO duhet të zhbëhej pas rënies së murit, ashtu si dhe traktati i Varshavës, duhet ta mendojnë se lufta e ftohtë oshte mbajtja në prag e luftës së nxehtë. Nuk mund të fshihej me një gjest kampi fitues, pa konstatuar një normalizim në Lindjen e mundur. Ky normalizim nuk ndodhi. Lindja komuniste u kthye në Lindje neoliberale të autokratëve. Përgjegjësi për këtë ka shumë Perëndimi.
– NATO nuk ka vetëm Amerikën brenda saj, por edhe Evropën. Kështu që Rusia aktuale nuk e ka problemin se Ukraina po hyn në NATO, por sepse po i afrohet BE-së. Rusia me mendim hibrid carist/komunist nuk mund të durojë t’i zëvendësohet dominimi i saj në Lindje me atë të BE-së.
– Këmbëngulja e klanit në Kosovë që ia lehtëson dialogun Serbisë, dhe që kohët e fundit i thotë qeverisë se Zajednica është detyrim, mund të kuptohet se ëshët kërkesë antishqiptare. Le të shtojmë këtu se është po aq antishqiptare kërkesa e tyre për ta shpejtuar dialogun, madje për të kërkuar (sic ndodhi së fundmi) afatizim të dialogut. Kujtdo që i ngutet në dialogun me Serbinë, i ngutet për interesin e Serbisë. Nëse Serbia ka nevojë për normalizim, mjaft ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe ja ku u krye normalizimi.
– Lajçaku dhe Borelli e kanë patur deri tani të lehtë të vendosin simetri aty ku duhet reciprocitet. Mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka simetri në dialog, por reciprocitet mes shteteve. Le të ngutet Evropa e t’i kërkojë Serbisë të jetë evropiane. Siç duket Evropa po ngutet së fundmi të korrigjojë shpejt qëndrimet e saj. U desh pushtimi i Ukrainës që të kuptojë se Serbia dhe Rusia janë pjesët më anti-evropiane, sidomos në udhëheqjet e tyre. Serbët ndoshta janë popull i ditur, por udhëheqjen e kanë gjithnjë regresive dhe udbashe. Rusët janë popull me kulturë të madhe, por udhëheqjen e kanë të dashuruar jo me demokracinë, por me luftën bërthamore.
– Udhëheqja në Tiranë dhe opozita në Prishtinë nuk janë të qartë ende për qëndrimin e tyre në këtë gjendje të re. Ishin më të qartë në vetvete kur Kosova e kishte situatën gjeopolitike të paqartë. Tani situata botërore u qartësua: nuk mund të jesh as pacifist e as neutral.
Rruga Press