Borrell: Është çështje jetë a vdekje, andaj BE-ja do të sigurojë armë për forcat e armatosura të Ukrainës
Ajo që po bën Putini është shkelje e parimeve bazë të bashkëjetesës njerëzore. Ky është momenti për t’a ngritur zërin.
Në këtë orë të errët, kur e shohim pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia dhe fushatat masive të dezinformimit dhe manipulimin e informacionit, është jetike t’i ndajmë gënjeshtrat – të shpikura për ta justifikuar atë që nuk mund të justifikohet – nga faktet.
Faktet janë se Rusia, një fuqi e madhe bërthamore, ka sulmuar dhe pushtuar një vend fqinj paqësor dhe demokratik, i cili nuk përbënte asnjë kërcënim për të, as e provokoi atë. Për më tepër, presidenti Putin po kërcënon me hakmarrje ndaj çdo shteti tjetër që mund t’i dalë krah shpëtimit të popullit të Ukrainës. Një përdorim i tillë i forcës dhe detyrimit nuk ka vend në shekullin e 21-të.
Ajo që po bën Putini nuk është vetëm një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar, është një shkelje e parimeve themelore të bashkëjetesës njerëzore. Me zgjedhjen e tij për ta rikthyer luftën në Evropë, ne shohim kthimin e “ligjit të xhunglës” aty ku i forti e bën ligjin. Objektivi nuk është vetëm Ukraina, por siguria e Evropës dhe i gjithë rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, bazuar në sistemin e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar.
Agresioni i tij po merr jetë të pafajshme, duke shtypur dëshirën e njerëzve për të jetuar në paqe. Civilët po goditen, duke shkelur qartë të drejtën ndërkombëtare humanitare, duke i detyruar njerëzit të ikin nga shtëpitë e tyre. Ne shohim që po zhvillohet një katastrofë humanitare. Për muaj të tërë, ne u përpoqëm shumë për ta arritur një zgjidhje diplomatike. Por Putini gënjeu në fytyrat e të gjithë atyre që e takuan, duke pretenduar se ishte i interesuar për një zgjidhje paqësore. Në vend të kësaj, ai zgjodhi një pushtim të plotë, një luftë.
Rusia duhet t’i ndërpresë menjëherë operacionet e saj ushtarake dhe të tërhiqet pa kushte nga i gjithë territori i Ukrainës. E njëjta gjë vlen edhe për Bjellorusinë, e cila duhet ta ndalojë menjëherë përfshirjen e saj në këtë agresion dhe t’i respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare. Bashkimi Evropian është unik për të ofruar mbështetje të fortë për Ukrainën dhe popullin e saj. Kjo është një çështje për jetë a vdekje. Unë jam duke e përgatitur një paketë emergjente për t’i mbështetur forcat e armatosura ukrainase në luftën e tyre.
Komuniteti ndërkombëtar tani si kundërpërgjigje do ta zgjedhë izolimin në shkallë të plotë të Rusisë, për ta mbajtur Putinin përgjegjës për këtë agresion. Ne po i sanksionojmë ata që e financojnë luftën, duke gjymtuar sistemin bankar rus dhe qasjen e tij në rezervat ndërkombëtare.
BE-ja dhe partnerët e saj kanë vendosur tashmë sanksione masive ndaj Rusisë që kanë si target liderët dhe elitat e saj si dhe sektorët strategjikë të ekonomisë së drejtuar nga Kremlini. Qëllimi nuk është ta dëmtojë popullin rus, por ta dobësojë aftësinë e Kremlinit për ta financuar këtë luftë të padrejtë. Duke bërë këtë, ne jemi të lidhur ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë – ShBA-në, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Australinë. Ne shohim gjithashtu shumë vende nga e gjithë bota që bëhen bashkë për ta mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Ne qëndrojmë së bashku në anën e duhur të historisë përballë sulmit të tmerrshëm të Rusisë ndaj një vendi të lirë dhe sovran.
Për t’i justifikuar krimet e tij, Kremlini dhe mbështetësit e tij janë përfshirë në një fushatë masive dezinformimi, e cila filloi javë më parë. Ne i kemi parë mediat shtetërore ruse duke shpërndarë të pavërteta në media sociale me qëllim të mashtrimit dhe manipulimit.
Propagandistët e Kremlinit e quajnë pushtimin “një operacion special”, por ky eufemizëm cinik nuk mund ta fshehë faktin se ne jemi dëshmitarë të një pushtimi të plotë të Ukrainës, me synimin për ta shtypur lirinë e saj, qeverinë legjitime dhe strukturat demokratike. Të quash qeverinë e Kievit “neo-naziste” dhe “rusofobike” është e pakuptimtë: të gjitha manifestimet e nazizmit janë të ndaluara në Ukrainë. Në Ukrainën moderne, kandidatët e krahut të djathtë janë një fenomen i skajshëm me mbështetje minimale, pa e kaluar pengesën për të hyrë në parlament. Qeveria ukrainase nuk e ka shkëputur Donbasin dhe nuk e ka ndaluar përdorimin e gjuhës dhe kulturës ruse. Donetsk dhe Luhansk nuk janë republika, ato janë rajone ukrainase të kontrolluara nga grupet separatiste të mbështetura dhe të armatosura nga Rusia.
Ne e dimë këtë – dhe shumë rusë e dinë këtë. Ka pasur protesta të guximshme në qytete në të gjithë Rusinë që nga fillimi i pushtimit, duke kërkuar fundin e agresionit kundër një shteti fqinj paqësor. Ne i dëgjojmë zërat e tyre dhe e njohim guximin e tyre për të folur, dhe gjithashtu shohim shumë figura të shquara publike në Rusi që protestojnë kundër këtij pushtimi të pakuptimtë.
Unë vazhdoj të punoj me partnerët tanë në mbarë botën për ta siguruar veprimin e përbashkët të komunitetit ndërkombëtar kundër sjelljes së Kremlinit. Më 25 shkurt, vetëm Rusia vuri veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, me Kinën, Indinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që abstenuan. Nga e gjithë bota, vendet dënojnë sulmet e Rusisë dhe në Asamblenë e Përgjithshme i gjithë komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bashkojë forcat dhe të ndihmojë për t’i dhënë fund agresionit ushtarak të Rusisë duke miratuar rezolutën përkatëse të OKB-së.
Me këtë luftë në Ukrainë, bota nuk do të jetë më kurrë e njëjtë. Është tani, më shumë se kurrë, koha që shoqëritë dhe aleancat të bashkohen për ta ndërtuar të ardhmen tonë mbi besimin, drejtësinë dhe lirinë. Është momenti për t’u ngritur dhe për të folur. I forti mund të mos e ketë me të drejtë. Nuk e kishte asnjëherë. Nuk do ta ketë kurrë.
Opinioni i Josep Borrell, përfaqësuesit të lartë të BE-së për çështje të jashtme dhe politikën e sigurusë është publikuar fillimisht në “The Guardian”./ Përgatiti: Kallxo.com
Rruga Press