Ministri i Jashtëm rus anulon udhëtimin në Gjenevë, shkak ndalimi i hapësirës ajrore të BE-së
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, ka anuluar vizitën e tij në Gjenevë për seancën e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, për shkak të ndalimit të Bashkimit Evropian për avionët rusë, tha të hënën misioni rus në Gjenevë.
BE-ja konfirmoi vendimin e saj për të mbyllur hapësirën e saj ajrore ndaj Rusisë të dielën.
Ndalimi është pjesë e masave në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, raporton CNN.
“Hapësira jonë ajrore do të jetë e mbyllur për çdo avion rus. Dhe kjo përfshin edhe avionët privatë të oligarkëve”, tha të dielën presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Rusia, nga ana e saj, është kundërpërgjigjur duke marrë vendim ta mbyllë hapësirën ajrore për 36 shtete, e që në mesin e tyre është edhe Shqipëria.
Disa nga shtetet që nuk do të mund të fluturojnë drejt Rusisë janë Britania e Madhe, Spanja, Italia, Kanada, Norvegjia, e të tjera, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Rruga Press