Shtratit të Rusisë i tkurret jorgani financiar
Nga Klark Kodra
Të jetë viti i fundit që do e mbajmë mend Rusinë si ekonominë e njëmbëdhjetë më të gjerë në botë, gjasat janë të larta. Ndërmarrja e luftimeve në Ukrainë është kërcënim si për Rusinë ashtu edhe për ripërtëritjen e ekonomisë botërore. Me shpërthimet në Kiev, shpërthen inflacioni, politikat monetare e zymtësohet parashikimi i rritjes ekonomike që po rimerrte veten pas pasojave qe solli bllokimi i tregjeve nga Covid-19.
Gjatë këtyre javëve konfliktuale çmimi i naftës bruto arriti 100$/fuçi, çmim i cili s’qe vëne re në treg që prej 8 vitesh më parë, ndërsa sot, e diele, një fuçi nafte bruto kushton 91.94$.1
Ukraina dhe Rusia janë eksportuesit kryesorë botërorë të grurit. Të dy shtetet të marra sëbashku prodhojnë 23% të shkëmbimit botëror të grurit, sipas Departamentit Amerikan të Agrikulturës.
Qeveritë që kanë sanksionuar ekonominë Ruse janë: Bashkimi Europian, Japonia, Australia, Zelanda e Re, Tajvani, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vendet e Ballkanit gjeopolitika dhe ekonomia ndjekin linjat klasike të përqasjes së tyre në tregje. Qeveria e Shqipërisë është deklaruar nëpërmjet Ministrisë se Jashtme duke shprehur koordinimin me aleatët e NATO-s dhe OSCE-së per t’iu përgjijgur bashkarisht agresionit të Rusisë, ama pa dhënë masa të qarta ekonomike. Qeveria e Kosovës është deklaruar nëpërmjet Ministres së Punëve të Jashtme duke paraqitur masa konkrete, bllokim asetesh të institucioneve financiare dhe individëve, ndalim të qasjes së institucioneve dhe tregjeve financiare, masa kufizuese që synojnë ndërmarrjet e rëndesishme të elitës ruse dhe aktorëve të tjerë politikë të perfshirë në vendimin për pushtimin e Ukrainës. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar bashkërenditjen me kufizimet e Bashkimit Europian ndaj eniteteve ushtarake private dhe kompanive Ruse Velada, Mercury e Evro Polis që janë përfshirë në gërmime, naftë e gaz në Siri. Qeveria e Malit të Zi është shprehur në dakordësi me rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian, teksa masat ndëshkimore do merren sipas përcaktimeve të ligjit për kufizimet ndërkombëtare të Malit te Zi.2
Qeveria e Serbisë mbetet sërisht në klasë duke paraqitur rrezikun klasik ndaj vendeve të Ballkanit. Presidenti i Serbisë nuk do ngre sanksione ndaj Rusisë. Ai i ka lënë sektorët e naftës e gazit në duart e Rusisë qe prej vitit 2008 me shitjen e pjesës më të madhe të aksioneve të Gazprom Neft. Në Beograd eshtë parë kulla e Avala TV të ndricojë me ngjyrat e flamurit Rus. Metaforikisht, e duke shprehur opinion personal, moralisht ai farë ndriçimi vetëm ka koordinuar terrin me hapësirën e errësirës së natës së mbrëmshme.
Sic ishte njoftuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusia është përjashtuar nga sistemi SWIFT. SWIFT është arteria financiare globale që lejon transferimin e qetë dhe të shpejtë të parave përtej kufijve. Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar është krijuar në 1973 dhe me bazë në Belgjikë, lidh 11,000 banka dhe institucione në më shumë se 200 vende. Përdoret nga institucionet financiare si bankat për të dërguar dhe marrë me shpejtësi, në mënyrë të sigurt dhe të saktë urdhra ose informacione të transfertave të parave. SWIFT realizon rrjetin e mesazheve përmes një sistemi standard kodi. Rusia nuk do të ketë asnjë akses në tregjet financiare në mbarë botën. Ndalimi e bën më të vështirë për kompanitë dhe individët rusë të paguajnë për importet dhe të marrin para për eksporte. Përfshirja e Bashkimit Europian për sanksionimin e Rusisë përmes SWIFT-it ka qenë një proces i vështirë pasi tregtia e BE-së me Rusinë arriti në 80 miliardë euro, rreth 10 herë më shumë se Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin qenë një përkrahës i hershëm i masave të tilla.3
I vetmi vend tjetër në botë i përjashtuar nga sistemi SWIFT është Irani që prej vitit 2012 si sanksion ndaj programit nuklear të qeverisë së Iranit.
Bankat e mëdha amerikane, përfshirë JPMorgan dhe Citigroup, kishin kërkuar të bindin ligjvënësit amerikanë dhe administratën e Biden që të mos kufizojnë aksesin e Moskës në SWIFT, raportoi Bloombergu. Ata paralajmëruan se masa mund të inkurajojë zhvillimin e një alternative ndaj SWIFT, duke reduktuar epërsinë e dollarit në ekonominë botërore. Ata gjithashtu argumentuan se inkurajimi i përdorimit të sistemeve alternative do ta bënte të vështirë për vendet perëndimore gjurmimin e transaksioneve të dyshimta financiare. 4
Goditja e Bankës Qendrore Ruse do të ndikonte rëndë Moskën, e cila ka grumbulluar 630 miliardë dollarë rezerva – e katërta më e madhe në botë – me vetëm rreth 15% të mbajtura në dollarë, me qëllimin për t’u izoluar ndaj sanksioneve të tilla. Aleatët perëndimorë synojnë të ndalojnë bankën qendrore nga shitja e aktiveve të huaja në ato rezerva për të ndaluar rënien e mprehtë të vlerës së rublës që kur ajo pushtoi Ukrainën.5
Rusia do të ishte ende në gjendje të kryente transaksione bankare me vendet e tjera pa SWIFT, por do të kërkonte përpjekje më të shumta, më intensive e më të kushtueshme. Mund të ketë gjithashtu pasoja negative për partnerët kryesorë tregtarë të Rusisë, duke përfshirë vendet evropiane, të cilat mund të kenë vështirësi të paguajnë për importet e naftës dhe gazit rus ku ata mbështeten.
- https://www.marketwatch.com/investing/future/crude%20oil%20-%20electronic ,listim në UEB, Crude Oil WTI (NYM $/bbl) Front Month, Last Updated: Feb 25, 2022 4:59 pm EST.
- Artikull, “North Macedonia, Montenegro and Albania Fail to Investigate Wagner Group”, Samir Kajosevic, Sinisa Jakov Marusic dhe BIRN, faqja UEB: https://balkaninsight.com/2022/02/23/north-macedonia-montenegro-and-albania-fail-to-investigate-wagner-group/
- Artikull, :Russia-Ukraine crisis: What is SWIFT and how its ban will affect Russian banks?”, faqja UEB: https://www.livemint.com/auto-news/russiaukraine-crisis-what-is-SWIFT-and-how-its-ban-will-affect-russian-banks-11645929405375.html
- Lisa Kim, Stafi i Frobes, U.S. And Allies To Remove Some Russian Banks From SWIFT, Sanction Central Bank, faqja UEB: https://www.forbes.com/sites/lisakim/2022/02/26/us-and-allies-to-remove-some-russian-banks-from-SWIFT-sanction-central-bank/amp/
- Po aty.
©Rruga Press