Ish-ambasadori Kosnett: Burracakëri! Vuçiqi zgjodhi Putinin, BE dhe ShBA ta mbajë shënim këtë
Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e mban anën e Rusisë.
Kosnett ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian dhe ShBA ta kenë parasysh këtë qëndrim të tij.
“Siç duket Vuçiq i Serbisë ka zgjedhur Putinin në vend të Perëndimit – derisa pretendonte se duart e tij janë të lidhura nga opinioni publik dhe fshihet pas Kishës. Kjo nuk është udhëheqje; është burracakëri morale . BE, SHBA ju lutemi mbani shënim”, ka shkruar Kosnett në Twitter.
Para dy ditësh, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paraqiti qëndrimin e Serbisë për situatën e krijuar në Ukrainë.
Vuçiq ka thënë se nuk është koha për të vendosur sanksione ndaj Rusisë duke shtuar se i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Rruga Press