Me sytë nga Kievi: përjetimet e shtetasve ukrainas dhe rusë në Shqipëri
Ukrainasit që jetojnë në Shqipëri janë të shqetësuar për të ardhmen e vendlindjes të sulmuar nga forcat ruse dhe të frikësuar për fatin e familjarëve të cilëve u rrezikohet jeta nga lufta.
Prej më shumë se 24 orësh mbijetesa e shtetit ukrainas është vënë në pikëpyetje prej sulmit të paprovokuar forcave ruse, të urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin.
BIRN kontaktoi me disa shtetas ukrainas dhe rus në Shqipëri, të cilët ndanë ndjesitë e tyre në lidhje me luftën në Ukrainë. Ata theksuan se ndihen shumë të rënduar emocionalisht pas shpërthimit të konfiltit të armatosur.
“Si çdo mëngjes, sot nuk u zgjova prej alarmit të orës por prej një mesazhi nga babai im në orën 7 të mëngjesit i cili kishte shkruar thjeshtë: lufta filloi!”, tha të enjten Anastasia Seitaj, shtetase ukrainase që jeton në Shqipëri prej 5 vitesh.
“I mora direkt në telefon, por ajo që dëgjoja ishte vetëm zhurma e hapave dhe frymarrjes së rënduar dhe kuptova se po vraponin. Më thanë shkurt se ishin mirë por aeroporti afër tyre sapo ishte bombarduar. E kishin parë shpërthimin me sytë e tyre”, tregoi Anastasia.
Sipas Anastasisë shqiptarët të cilët kanë përjetuar luftë e Kosovës disa vite më parë mund t’i kuptojnë ukrainsit më së miri.
“E ke parasysh kur plasin fishekzjarrë për Vit të Ri? Vetëm se kësaj rradhe janë bomba lufte”, tha Anastasia, duke përçuar fjalët e prindërve të saj në Ukrainë.
Mëngjesi i 24 shkurtit e gjeti Ukraninën nën sulmet e para të ushtrisë ruse. Një ditë më pas tanket ruse ndodhen vetëm 25 kilometra larg Kievit, kryeqytetit të Ukrainës.
Popullsia e Ukrainës përbëhet prej rreth 40 milion banorësh, ndërsa Kievi ka 3 milionë banorë. Një pjesë po largohen nga kryeqyteti, të tjerë po luftojnë, e të tjerë janë strehuar nēpër tunele të nëndheshme.
Anna Fipichenko, ukrainase e cila jeton prej shumë vitesh në Shqipëri me fëmijët e saj, i tha BIRN se prindërit në Ukrainë janë bërë gati të luftojnë për lirinë e tyre.
“Në orën 5 të mëngjesit mora një mesazh nga mami që lufta ka filluar dhe ata po shkonin të shtrehoheshin tek një bunker afër shtëpisë për t’i shpëtuar bombardimeve”, tregoi Filipchenko për familjen e saj në Ukrainë.
“Ato po përpiqen të mbajnë qetësinë, por nëse do të jetë nevoja babi është gati për mbrojtje territoriale”, tha Anna.
Filipchenko theksoi se civilët e thjeshtë ukrainas kanë dalë vullnetarë të luftojnë, një pjesë të paarmatosur, ‘vetëm me disa shkopinj në duar’, duke u munduar më çdo kusht të mbrojnë vendin e tyre.
Një shtetas Ukrainas, resident në Itali, i cili ndodhet në Shqipëri si turist prej dy javësh, tregoi për BIRN se ata nuk e kishin imagjinuar kurrë se Rusia do të sulmonte me të vërtetë.
“Nuk na e mori mendja që kjo do bëhej realitet. Ne jemi të shokuar. Po shpresoj që të gjehet një zgjidhje diplomatike”, tha Danilo, i cili shtoi se “NATO duhet të ndërhyjë.”
Danilo tregoi se daja e tij në Ukrainë ishte pjesë e forcave ushtarake dhe që prej mëngjesit të së enjtes ato nuk kishin pasur më informacione për vendndodhjen e tij.
“Shpresoj shumë që daja të dalë i gjallë prej kësaj,” theksoi Danilo, teksa shoqja e tij i kishte hedhur krahun në shenjë ngushëllimi.
Ndërkohë, vetë shtetasit rusë që jetojnë në Shqipëri shprehin trishtimin për fillimin e kësaj lufte, ndërsa në një farë mënyre ndjejnë mbi supe peshën e “turpit” që shteti i tyre sulmoi një vend fqinj.
“Sot në mëngjes duke lexuar lajmet u trishtova shumë. M’u mbushën sytë me lot…një ndjenjë zemërimi dhe njëkohësisht turpi më mbuloi”, tha Anna Popova Kryemadhi, shtetase ruse e cila tashmë prej 20 vitesh jeton në Shqipëri.
“Unë kam 20 vjet që jetoj këtu. Kam shumë shoqe që vijnë nga Ukraina. Unë kam miq në Kiev, deri tani nuk kam marr vesh asgjë nga ata, jam shumë në merak”, vijoi Anna.
Anna pranoi se ajo dëgjon shumë analistë opozitarë rus dhe prognozat duken të këqija.
“Kam shumë merak që kjo që po ndodh do të ketë pasoja të rënda për gjithë botën, jo vetëm për Europën”, përfundoi Anna./reporter.al/
Rruga Press