“Diktatori rus nuk mund të nënshtrojë ndjenjat kombëtare të ukrainasëve”/ Johnson: Akti barbar i Putin duhet të dështojë!
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka dhënë një deklaratë, pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Johnson e ka quajtur sulmin një “akt agresioni kokëkrisur” dhe ka deklaruar se “ky akt barbar i Putin duhet të dështojë”.
Kryeministri britanik paralajmëroi sanksione të tjera për të goditur ekonominë ruse.
“Sot, në bashkëpunim me aleatët tanë ne do të dakordësohemi për një paketë të madhe sanksionesh ekonomike, të cilat do të dërrmojnë ekonominë ruse”, tha Johnson.
Kryeministri kishte një mesazh edhe për ukrainasit, duke deklaruar, “qëndrojmë krah jush, po lutemi për ju dhe familjet tuaja”.
“Unë nuk besoj se diktatori rus mund të nënshtrojë ndjenjat kombëtare të ukrainasëve”, tha Johnson.
Shefi i NATO-s: Një sulm ndaj njërit, do të konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve ne!
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka dalë në një konferencë për shtyp, pas mbledhjes urgjente ku janë aktivizuar planet e mbrojtjes së aleancës.
Stoltenberg bëri thirrje që Rusia të ndalojë urgjentisht aksionin ushtarak dhe të tërheqë trupat nga Ukraina.
Ai bëri edhe një paralajmërim, se çdo sulm ndaj një vendi të NATO-s, është një sulm ndaj të gjithë aleancës.
“Një sulm ndaj njërit, do të konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve ne”, tha Stoltenberg.
NATO nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë dhe vendi do të vetëmbrohet, siç është bërë e qartë nga autoritetet ukrainase.
Rruga Press