Ambasadori amerikan: ShBA dhe Kosova qëndrojnë bashkë për Ukrainën
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka deklaruar se ShBA-të dhe Kosova qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën, në kohën e tensioneve të vendit nga Rusia.
Këtë deklaratë ai e ka dhënë përmes një publikimi në rrjetin social Twitter, teksa ka shpërndarë një postim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që kishte njoftuar se ndërtesa e Qeverisë është ndriçuar me ngjyra të flamurit të Ukrainës në shenjë solidarizimi për shkak të krizës atje.
Ukraina ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e saj, përveç rajoneve Donetsk dhe Luhansk ku gjendja emergjente është e vendosur nga viti 2014.
Separatistët pro-rusë kanë kontrolluar pjesë të Donetskut dhe Luhanskut që nga viti 2014.
Rusia i njohu ato si shtete të pavarura dhe miratoi dërgimin e trupave të saj atje gjatë kësaj jave.Ukraina po përballet me atë që Perëndimi thotë se është kërcënimi i një pushtimi të afërt në shkallë të plotë nga Rusia.
Rruga Press