Zv.Kryeministri i Kosovës njofton për takimet e djeshme me Lajçakun
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të martën ishte në Bruksel për raundin e radhës të dialogut Kosovë – Serbi.
Ai pati takim disa orësh me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Mirëpo, nuk pati edhe një takim trepalësh mes delegacionit të Kosovës, atij të Serbisë dhe përfaqësuesit të BE-së.
Nga Zyra për Media e Kryeministrisë është njoftuar se në takimet mes Bislimit e Lajçakut u diskutua për personat e zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, po ashtu për energjinë, ndërsa edhe për targa.
“Në këto takime u diskutua për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, për ndjeshmërinë dhe urgjencën e një zgjidhjeje sa më të shpejtë. U fol për energjinë në kuadër të marrëveshjes ekzistuese. Diskutimet me Bashkimin Evropian në këtë fushë kanë shënuar progres, megjithatë mbeten ende detaje për t’u trajtuar. Çështje tjetër e diskutimit ishte edhe ajo e targave të veturave. Grupet teknike kanë filluar të finalizojnë propozimet e tyre përfundimtare. Takimet e grupeve teknike do të vazhdojnë deri në përzgjedhjen përfundimtare të opsioneve sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian”, njoftohet nga Zyra e Kryeministrit.
Rruga Press