NATO-ja alarmohet për krizën në Ukrainë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka përshkruar krizën në Ukrainë si “momentin më të rrezikshëm për sigurinë evropiane në këtë gjeneratë”.
Në një konferencë për media ai ka thënë se Moska ka lëvizur nga përpjekjet e fshehta për të destabilizuar Ukrainën në veprime të hapura ushtarake.
Sipas tij, lëvizja e fundit që ka bërë Rusia është eskalim dhe shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare.
Stoltenberg ka thënë se NATO-ja e përgëzon Ukrainën për përmbajtje ndaj provokimeve të Rusisë.
Sipas tij, aleanca ushtarake do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën me “përkrahje të fuqishme politike”.
“Është krizë e krijuar vetëm nga Rusia. Ne e përshëndesim Ukrainën që nuk ka reaguar ndaj provokimeve të Rusisë. Aleatët janë të bashkuar dhe përkrahin plotësisht sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin territorial brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Do të ofrojmë mbështetje të fuqishme politike për Ukrainën, aleanca po ashtu do të ofrojë pajisje për Ukrainën që ta mbrojë veten e po ashtu edhe përkrahje financiare. Me muaj Rusia ka ndërtuar forca ushtarake rreth Ukrainës dhe brenda saj, përfshirë edhe në Bjellorusi. Me afro 150 mijë trupa dhe aeroplanë luftarakë e helikopterë, shumë prej tyre në gatishmëri për të sulmuar. Në javët e fundit aleatët kanë vendosur mijëra trupa në pjesën lindore të Aleancën dhe kanë vendosur në gatishmëri edhe më tepër. Do të vazhdojmë të bëjmë çfarë është e mundur të mbrojmë Aleancën nga agresioni. Kemi mbi 100 aeroplanë ushtarakë në gatishmëri të lartë dhe po ashtu afro 120 anije luftarake”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai ka shtuar se Rusia ka pushtuar Ukrainën qysh në vitin 2014, kur ka aneksuar Krimenë dhe ka vendosur forca ushtarake në Donbas, në Donetzk e Luhansk.
Ai ka thënë se Rusia ka zgjedhjen të gjejë diplomacinë për t’u tërhequr.
Rusia të hënën njoftoi se i njeh si shtete dy rajonet separatiste të Ukrainës. Të martën, presidenti Vladimir Putin kërkoi lejen nga Parlamenti rus t’i japë leje për ta përdorur forcën ushtarake jashtë Rusisë.
Stoltenberg ka paralajmëruar se zyrtarët të inteligjencës ruse po veprojnë në Ukrainë dhe do të angazhohen në operacione false për të krijuar një pretekst për ta sulmuar Ukrainën.
Ai ka shtuar se shtetet si Ukraina kanë të drejtë të kërkojnë anëtarësim në NATO.
“Nuk mund të pranojmë kthimin në një kohë të sferave të influencës, ku fuqitë e mëdha bullizojnë apo diktojnë tjerët”, ka thënë Stoltenberg në Bruksel.
Stoltenberg ka shtuar se për Rusinë kurrë nuk është vonë që të mos sulmojë.
Aleanca tash po shqyrton hapat e radhshëm që kanë synim ndryshimin e situatës së sigurisë ku përfshihen edhe “grupet ushtarake” në vende si Rumanua.
“NATO duhet të reagojë kur shohim veprime agresive nga Rusia, por ne vazhdojmë të përpiqemi për dialog, për deeskalim dhe besojmë se është e rëndësishme të bisedojmë”, ka shtuar Stoltenberg.
Rruga Press