BallinaLajme

Porto Romano dërgon gaz në Siri, thyen embargon e SHBA dhe BE

Cisterna gazi nafte të lëngshëm (LPG) janë vërejtur duke u transportuar nga Porti i Porto Romanos në Shqipëri dhe Porti Baniyas në Siri. Aktualisht ekzistojnë një sërë sanksionesh, nga BE dhe SHBA, që ndalojnë furnizimin e Sirisë me karburant dhe produkte të tjera të energjisë.

Një prej anijeve që ka udhëtuar në mënyrë të përsëritur midis dy destinacioneve është marrë me qira nga kompania shqiptare “AV International Group”, në pronësi të pronarit të Porto Romano, Pirro Bare.

Historia fillon me një cisternë LPG të quajtur “Melody” (IMO 8800298). Kjo anije është parë më 13 dhjetor në Porto Romano dhe tani është në brigjet e Qipros, me destinacion Sirinë. Anija ka një kapacitet prej 3946 metra kub LPG dhe furnizohet me karburant në Shqipëri përpara se të nisej për në portin e Baniyas.

Por ajo nuk quhej gjithmonë “Melody”. Në vitin 2015, ajo quhej “Blue Way” dhe kishte sanksione të vëna ndaj saj nga Departamenti i Thesarit i SHBA. Anija ishte në pronësi të një kompanie turke të quajtur “Milenyum Energy S.A”. Sanksione u vendosën gjithashtu ndaj disa shtetasve turq të lidhur me kompaninë, e cila njihet gjithashtu si “Milenyum Denizcilik Gemi”.

Arsyeja e dhënë për sanksionet ishte se ata ishin përgjegjës për sigurimin e produkteve të energjisë për regjimin e Asadit, për të vazhduar nxitjen e luftës në Siri. Aty vihet në dukje se kompania mund të ketë qenë një kompani guaskë që regjimi po përdorte për të shmangur me qëllim sanksionet e SHBA dhe BE.

Departamenti i Thesarit shkruan:

“Në vitet e fundit, “Milenyum” u është përgjigjur nevojave për energji së regjimit sirian duke planifikuar rregullisht dërgimin e produkteve të tilla si gaz nafte i lëngshëm (LPG) dhe benzinë në portin e Baniyas të kontrolluar nga Qeveria siriane, për SYTROL ose subjekte të tjera të qeverisë Siriane. “.

Por, pavarësisht sanksioneve të vendosura mbi të, anija vazhdon të punojë me emrin e saj të ri, “Melody”, midis Porto Romanos dhe Baniyas. Imazhet satelitore e tregojnë anijen si në Porto Romano ashtu edhe pranë bregut të Baniyas gjatë këtij muaji. Ky informacion u zbulua përmes një hetimi nga Noam Raydan i cili kishte ndjekur cisternën për disa muaj.

Tani është në pronësi të asaj që duket të jetë një kompani guaskë e quajtur “NFS Shipping Inc”, një kompani e regjistruar në Saint Kitts dhe Nevis. Emri i saj është ndryshuar tre herë që nga viti 2015 dhe flamuri gjithashtu midis Mongolisë, Tanzanisë dhe Komores – të gjitha shtete mashtruese për flamuj detarë.

Lexo më shumë  Në shënimin e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Kurti: Sot e kemi shumë të lehtë të jemi bashkë

U zbulua gjithashtu se cisterna çaktivizoi transmetuesin e saj AIS në brigjet e Qipros, një shenjë që nuk donte që destinacioni i saj në Siri të bëhej i ditur. Ky veprim i njohur si “going dark“, nuk është vetëm një flamur i kuq por konsiderohet si shkelje e kërkesave të Shtetit të Flamurit dhe SOLAS. Në këtë rast konkret, anija ishte nisur nga Porto Romano më 16 nëntor.

Por “Melody” nuk është cisterna e vetme që udhëton midis Shqipërisë dhe Sirisë. “Jaguar S” (IMO 9175169) është parë gjithashtu nga Raydan duke udhëtuar midis Porto Romanos dhe Banyias. Sipas TankerTrackers.com, ajo mori karburantin në Porto Romano në 15 maj dhe mbërriti në Siri një muaj më vonë. Përsëri, anija duket se ka çaktivizuar sistemin e saj AIS përpara ankorimit në Turqi.

Në prill të vitit 2019, “Jaguar S” u mor me qira nga një kompani në pronësi të Pirro Bare, pronarit portit të Porto Romanos. Sipas një liste ndalimi të botuar nga Memorandumi i Mirëkuptimit në Paris, “Jaguar S’ ishte ishte marrë me qira nga “AV International Group SH.A”, me bazë në Porto Romano dhe në pronësi të Bares. Kompania ishte e njohur më parë si “A&V-Gas Sh.a” e cila ishte një tregtues i LPG-së.

“Jaguar S”, aktualisht mbahet nga “Jaguar Shipping Ltd” dhe menaxheri është një kompani e quajtur “Dry Denizcilik Ve Gemi Islet”. Exit nuk mund të konfirmonte nëse ishin vërtet të njëjtët pronarë me atë të “Milenyum Denizcilik Gemi”.

Për ta përmbledhur, duket se ka anije që udhëtojnë midis Portit të Porto Romanos të Shqipërisë dhe Portit Banyias të Sirisë. Ato janë cisterna LPG-je në pronësi të një rrjeti ndërmarrjesh dhe të regjistruara me flamurë shtetesh të tjerë për t’ju shmangur kontrolleve. Për më tepër, të paktën njërit prej tyre i janë vendosur sanksione amerikane për furnizimin e regjimit të Asadit me energji. Një prej anijeve, “Jaguar S”, në pronësi të një kompanie me një emër të ngjashëm me entitetin e sanksionuar që zotëronte “Melody”, është marrë me qira nga një kompani shqiptare, në pronësi të Pirro Bare i cili gjithashtu zotëron portin Porto Romano. Marrë nga exit

Lexo më shumë  Kurti i konsideron akte terroriste nga Serbia shpërthimet në veri

Rruga Press

YouTube player