Me TVSH prej vitit 1996: Histori me ulje-ngritje, paguan gjithmonë qytetari
Që prej vitit 1996 shqiptarët janë mësuar që bashkë me çmimin e produktit, në faturë të paguajnë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Një taksë mbi konsumin, që është baza e të gjithë sistemit tatimor në vend, që në fund peshën e mban të gjithë qytetari.
Prej aplikimit për herë të parë në masën 12.5%, ndryshimet kanë qenë të shpeshta. Në 1997-ën, ajo u rrit në 20% të çmimit, norma që paguajmë edhe sot për pjesën më të madhe të mallrave dhe shërbimeve.
Përgjatë viteve ka ndryshuar edhe pragu i regjistrimit të bizneseve për regjimin me TVSH, në bazë të xhiros vjetore. Në fillim ky prag ishte 2 milionë lekë, për t’u rritur në 5 milionë, e më pas 8 milionë lekë, e për t’u ulur sërish në 5, e më pas 2 milionë, e së fundmi me fillimin e pandemisë në 10 milionë lekë.
Të shpeshta kanë qenë edhe përjashtimet apo lehtësitë që iu janë premtuar degëve të ndryshme të ekonomisë. Që nga aplikimi i normës së kompensimit të fermerëve 6% në vitin 2008, reduktimi në 10% për barnat dhe shërbimet shëndetësore në vitin 2011-2014, reduktimi në 6% për hotelerinë në vitin 2017, 6% për agro-turizmin, për librat, për reklamat në televizion në vitin 2018, 6% për autobusët me motor elektrik në vitin 2019, 6% për investimet në infrastrukturën sportive në vitin 2020 dhe së fundmi rritja në 10% për inputet bujqësore në fund të vitit 2021.
Ndryshimet në ligjin e TVSH-së, të përdorura gjithmonë e më shpesh, prej dekadash ishin kuptuar si joefikase në çdo vend të Europës, e jo më në Shqipëri, që ka një administratë tatimore të dobët. Kjo pasi përjashtimet fiskale krijojnë mundësi për abuzime dhe ulin të ardhurat në buxhetin e shtetit. Por së fundmi, edhe pas rekomandimeve të vazhdueshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria ka vendosur t’i zhbëjë sërish këto lehtësi dhe përjashtime, kësaj radhe edhe me mision për të mbledhur më shumë para në arkën e shtetit.
Rruga Press