Kurti takohet me presidentin e Kryqit të Kuq, flasin për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë
Çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte tema e takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministres Donika Gërvalla dhe presidentit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Peter Maurer.
Kryeministri Kurti e falënderoi Maurerin për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Qeverisë së Kosovës. Ai shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e mirë që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, si dhe për ndihmën e dhënë familjeve të personave të zhdukur.
“Personat e zhdukur me forcë mbeten plagë e hapur e Kosovës që nga viti 1999”, ka thënë me këtë rast kryeministri, duke shtuar se progresi në këtë fushë është i një rëndësie të madhe për të gjitha familjet e pikëlluara të 1617 personave që ende konsiderohen të zhdukur.
Kryeministri e njoftoi Maurerin me punën dhe angazhimin me përkushtim gjatë vitit 2021 për hulumtimin, identifikimin dhe zgjidhjen e rasteve nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, shoqatat e familjarëve dhe partnerët ndërkombëtarë.
U bisedua për kërkimet e vazhdueshme në territorin e Serbisë për lokacione të reja të varrezave masive nga lufta e viteve 1998-1999. Po ashtu u fol për mënyrat se si ICRC mund të ndihmojë me përvojë dhe ekspertizë.
Në takimin e mbajtur në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndriçim të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, dhe vendosjen e drejtësisë.
Rruga Press