BotaOpinion/Aktualitet

Mosnjeriu i Vitit 2020, Blendi Fevziu dhe “gazetaria” e tij zinxhir e tankut të propagandës. Njeriu i Vitit, Blendi tjetër (ai i shpresës) që shihni në këtë foto

Nga Koloreto Cukali

Ky është viti i 5-të ose i 6-të, me sa më kujtohet, që DITA më krijon hapësirë të jap një opinion për Njeriun dhe Antinjeriun e Vitit. Në pamje të parë duket që në këto 5-6 vjet emrat për këtë të dytën janë konsumuar.

Mund të gjenden kollaj njerëz që kanë bërë diçka pozitive për këtë vend, por dora e atyre që po e shkatërrojnë është e njëjta prej 30 vitesh, i njëjti grusht që qeveris e sundon, bën ligje antikushtetuese dhe çbën shtetin.

Por, ky grusht nuk do mund të bënte këto që bën pa patur struktura të qarta shoqërore e profesionale që e ndihmojnë të plaçkisë Shqipërinë. E keqja nuk është vetëm lideri, por dhe mekanizmat që e mbajnë liderin në pushtet. Një i tillë është Blendi Fevziu.

Mos-Njeriu i Vitit

Do kisha preferuar termin “mos-njeriu” i vitit, më shumë sesa anti-njeriu. Dhe për mua, mosnjeriu i 2020-s është Blendi Fevziu.

Sigurisht, jo Blendi si person, por ajo çfarë Fevziu përfaqëson: “elitën” e gazetarisë shqiptare, me rroga të majme, gati të pabesueshme për nivelin e Shqipërisë, me programe në prime time, njerëz me akses në majë të pushtetit, që hanë dreka e darka me oligarkë e bëjnë ortakëri me pronarët, dhe që, pikërisht prej këtyre atributeve më sipër, kur vjen puna për të bërë punën e vet nuk janë palë me shqiptarët e as me Shqipërinë, por me pushtetin, oligarkun e pronarin e medias. Kjo “elitë” nuk duhet ngatërruar me gazetarinë e as me gazetarët.

Fevziu me veten e me të tjerë

Është interesante sesi ti mund të shohësh brenda javës, 2 Fevzinj: Blendin që jep një intervistë e ku shprehet kundër kësaj që po ndodh, dhe Fevziun spitullaq  që merr në intervistë Kryeministrin. Ky i fundit, pothuajse nuk ekziston.

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

Mjafton të shohësh intervistën e para do ditëve në Opinion të Kryeministrit për të kuptuar që aty nuk ka gazetar dhe që z.Rama po merr në intervistë vetveten. Të tëra pyetjet aty janë ndërtuar për t’i ngritur topin basketbollistit që ta zhysë ku të dojë.

Pyetjet, për atë që merr vesh nga gazetaria, duket që kanë dalë nga zyra e shtypit të Kryeministrit. Kjo ndodh përditë, me të tërë “kokat” e gazetarisë shqiptare, që mbysin interesin publik për të paguar haraçin e aksesit që kanë në majë të piramidës, halleve e pronave që ua ka zgjidhur pushteti, mega-rrogave pa lidhje që marrin dhe ortakërive.

Së bashku me pronarët, këto “koka” janë pjesë e rëndësishme të zinxhirit të propagandës. Nuk është zinxhir pantallonash, por zinxhir tanku.

Kryeministri dhe Angela

Intervista e fundit e Kryeministrit në Opinion ishte një fushatë propagande e pastër. Aty nuk mungonin edhe perla, si psh ajo ku z. Rama e konsideron Enver Hoxhën “kafshë politike”. Nuk do ndalem shumë tek injoranca e z. Kryeministër me konceptin aristotelian të “kafshës politike”. Në fakt, po të lexosh sjelljen politike të vetë z. Rama, ai duket që e konsideron politikën si një vend asgjësimi të tjetrit  të atij që i rrezikon pushtetin dhe këtë monstruozitet ia vesh me padijen e tij Aristotelit.

Sipas tij, Enveri qenka kafshë politike sepse ishte politikan me instinkt mbijetese(!)

Por, gjëja më e rëndësishme është pse duhet që z. Rama, ndërsa i bën pyetje vetes nëpërmjet ‘Fevzos’, të rithërrasë Enverin, gjerësisht i konsideruar si diktator? Sepse, jemi para zgjedhjeve dhe i duhet të peshkojë fansat e Enverit duke ia ngritur ca podin, si kafsha politike më e mirë që paska patur Shqipëria!

Lexo më shumë  Një idiotizëm i ri politik: "grusht shteti" i qeverisë kundër opozitës

Duke qenë se ky ishte dukshëm një kompliment me qitje te baza e Partisë, ngrihet një problem etik. Nqs Angela Merkel do i bënte një kompliment si “kafshë politike” Hitlerit, çfarë do të ndodhte? Do e kryqëzonin politikanët, publiku, mediat dhe gjithë kokat (pa thonjëza) e gazetarisë gjermane.

Por, z.Rama i lëshon dukshëm këto silurë të propagandës sepse ai e di që nuk ka kënd përballë. Fevziu, si gazetar, në atë moment nuk ekziston. Fevziu, është aty për të qenë një rrip transmisioni i propagandës.

Njësoj si me “pyetjet” për Enverin, ashtu njësoj e me të njëjtin funksion rripi ishin “pyetjet e intervistuesit” për Fatos Nanon apo Gramos Ruçin, për të cilët njësoj u derdhën komplimentat e “të intervistuarit”. Tjetër derdhje me duart e “gazetarit” për tek baza e PS-së. Ku kthehet tani për vota socialisti që nuk është socialist.

Njeriu i vitit

Njeriu i vitit, për mua, është dukshëm antiteza e mos-njeriut. Për ironi quhet Blendi, dhe ai. Është ky djali në foton lart që shoqëron këtë shënim.

Ai ka një emër, por si ai ka shumë.

Është protestuesi. Është artisti. Është antikonformisti. Është ai që thotë “jo”. Është ai që ka guxim të lërë divanin, të fikë televizorin e të dalë në Bulervard në mbrojtje të një kauze ku ai beson.

Ai ka kundër shtetin, dhunën, propagandën. Por, ai nuk ka ikur në Gjermani, akoma. Ata janë shpresa e madhe kundër propagandës dhe mediave të pushtetit. Nëse ndonjëherë do të bëhet Shqipëria do ta bëjë ai me shoqet e shokët e tij.

Marrë nga Gazeta Dita

Rruga Press

http://www.gazetadita.al/forumi-dita-koloreto-cukali-mosnjeriu-i-vitit-2020-blendi-fevziu-dhe-gazetaria-e-tij-zinxhir-e-tankut-te-propagandes-njeriu-i-vitit-blendi-tjeter-ai-i-shpreses-qe-shihni-ne-kete-foto/?fbclid=IwAR06oLAXBrI-EuoX6hs2xg8rolbptQLSuqcarIAoYP6WycKflZTeUZgtKp0

YouTube player