Gjurmët e tempullit 2 mijë e 500 vjet të vjetër në Itali
Së paku 2 mijë e 500 vjet të vjetra, janë themelet e tempullit në gjurmë të të cilit kanë rënë arkeologët në jug të Italisë, që po ashtu kanë gjetur edhe artefakte nga beteja detare. Gjurmët e tempullit kanë dalë në parkun arkeologjik Paestum, në jug të qytetit Salerno, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës të Italisë. Struktura e cila besohet të jetë e dimensioneve 18 me 7 metra, sjell të dhëna mbi fazën më të hershme të Paestumit, dikur një alamet qyteti grek, themeluar prej të zhvendosurve nga Azia e Vogël. Reliktet prej betejës detare që besohet të ketë ngjarë midis viteve 540 e 535 para erës sonë, janë gjetur brenda tempullit, citohet Massimo Osanna, drejtuesi kryesor i Muzeve të Italisë.
Sipas Osannas, në mesin e artefakteve janë edhe dy helmeta, përderisa me analiza laboratorike do të duhet të zbërthehej nëse në to ka shkrime që do të mund të japin të dhëna mbi identitetin e ushtarëve që i kanë bartur. Hulumtuesit besojnë se tempulli është ndërtuar pas betejës në det, e cila sipas historianit antik grek, Herodotit, ka ndodhur në bregun lindor të ishullit mesdhetar të Korsikës.
Ministri i Trashëgimisë Kulturore i Italisë, Dario Franceschini, tha se me zbulimet e ditëve më parë, është shprehur i ngazëllyer.
“Është me rëndësi që të vazhdohet të investohet në gërmime arkeologjike, të cilat s’pushojnë duke na kthyer pjesë të çmuara të historisë mesdhetare”, citohet të ketë thënë Franceschini.
Rruga Press