Nisin diskutimet mes kancelarit Scholz dhe Putinit për sigurinë e Ukrainës
Këtë të martë nisën bisedimet mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Moskë në lidhje me konfliktin Rusi-Ukrainë.
Gjatë nisjes së fjalimit të tij Putin tha: “Fatkeqësisht, një pjesë të konsiderueshme të kohës do t’ia kushtojmë çështjeve që lidhen me situatën në Evropë dhe sigurinë, duke përfshirë Ukrainën.”
“Është e qartë se tani duhet të flasim për situatën e vështirë në lidhje me sigurinë në Evropë”, tha udhëheqësi gjerman në fillim të bisedimeve me Putinin.
Presidenti rus tha se në rendin e ditës do të jenë edhe çështjet e energjisë.
Vendet perëndimore kanë paralajmëruar Moskën se mund të vendosin sanksione mbi gazsjellësin “Nord Stream 2” nëse Rusia sulmon Ukrainën.
Vetëm pak orë pas deklaratës së presidentit ukrainas se e mërkuara mund të jetë ditë sulmi rus mbi vendin e tij, rusët kanë çuditur krejt botën duke tërhequr një pjesë të trupave të tyre nga kufiri me Ukrainën.
Lajmin e ka njoftuar vetë ministria e Mbrojtjes ruse ndërsa theksoi se disa prej njësive po kthehen në bazë pas stërvitjes.
“Ne kemi thënë gjithmonë se pas përfundimit të stërvitjeve… trupat do të kthehen në bazat e tyre të përhershme. Nuk ka asgjë të re këtu. Ky është një proces i zakonshëm,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Ndërkohë, ministria e Jashtme ruse ka folur për propagandë perëndimore për pushtimin e Ukrainës.
Rruga Press