Emri i Adem Jasharit shkruhet gabimisht në banerët në Skenderaj
Komuna e Skenderajt dhe ish-kryetari i saj, Bekim Jashari, janë përplasur të hënën për shkak të banerëve të vendosur në qytet, e në të cilat emri i komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, ishte shkruar gabimisht. “Adam Jashari” shkruhej në banerët, që u vendosën në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 14-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ish-kreu i Skenderajt kritikoi pushtetin aktual duke thënë se “asnjëherë nuk duhet lejuar që të na ikin gabime të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla dhe figura historike si ajo e komandantit legjendar Adem Jashari”.
“Gabimet e tilla nder të tjerash shpërfaqin interesimin e pushtetit aktual për historinë dhe trajtimin ndaj atyre që dhanë gjithçka për Ne dhe Lirinë që sot po e gëzojmë. Me këtë rast më e pakta që do të duhej të bënin ata që sot udhëheqin me Skenderajn do të ishte kërkim falja dhe ndërrimi sa më i shpejtë i atyre materialeve fyese”, ka shkruar Jashari në Facebook.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Komunës. Pushteti në Skenderaj e ka cilësuar të ngutshëm kërkesën e Bekim Jasharit për kërkimfalje. Në reagim, Komuna ka thënë se janë përdorur materialet që ishin prodhuar vitin e kaluar kur Jashari ishte në pushtet.
“Po, ne gabimin e pranojmë, sepse kemi përdorur materiale që janë prodhuar vitin e kaluar, gjatë kohës që ishin në pushtet (ishin po këto transparente dhe të njëjtit zyrtarët që i kanë vendosur). Gabime si ky i banerit, ne po vërejmë gati çdo ditë, në çdo dokument, procedurë a veprime të tjera të asaj qeverisje. Pra, më shumë se qeverisja aktuale, ka faj dhe përgjegjësi ajo e kaluar, ngase është prodhuar një transparent në kohën e ish-kryetarit Jashari. E çuditshme se si nuk pati një reagim vitin e kaluar???” thuhet në reagim.
Rruga Press