Bota

E fundit/Rusia ka rrethuar Ukrainën, ja nga ku mund të sulmojë

Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonyt, në një postim në rrjetet sociale, tregoi se si një avion ushtarak me një ngarkesë raketash Stinger do të fluturonte me destinacion Ukrainën, si shenjë konkrete mbështetjeje për Kievin. “Shpresoj mos t’iu shërbejnë kurrë”, shtoi kryeministrja.

Por armët për një vlerë rreth 200 milionë euro që po vijnë në orët e fundit nga vendet e NATO-s, kryesisht me koordinimin amerikan, tregojnë qartë se mundësia e një sulmi të hapur të Rusisë në Ukrainë, tashmë nuk është më thjesht një hipotezë e gjeopolitikës, por një ngjarje që mund të ndodhë në çdo moment.

Por sikur kjo të ndodhë, si dhe ku do të fillonte? Analistët ushtarakë kanë javë që monitorojnë çdo ditë satelitet për të vërejtur ndryshimet e dukshme në rreshtimin e më shumë se 100 mijë ushtarëve, që presin vetëm sinjalin e Vladimir Putin.

Nga lart, harta e Ukrainës duket tashmë qartësisht e rrethuar nga trupat ruse, në të paktën tri drejtime të ndryshme.

Kufiri lindor

Sulmi nga rajonet separatiste të Luhanskut dhe Donjeskut duket ai më i mundshmi, padyshim më i lehti, nga momenti që ato zona kontrollohen nga liderë pro-rusë. Moska po grumbullon në atë front sasi të mëdha ushtarësh dhe mjetesh.   

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Sipas analistëve, një bazë ushtarake e rëndësishme si ajo në Yelna, qindra kilometra nga kufiri, është praktikisht e “zbrazur” nga ushtarët dhe rreth 700 tanket dhe mjetet ushtarake që sipas tyre po i drejtohen kufirit.   

Por në atë drejtim po vijnë edhe nga më larg. Sipas Phillip Karber të Potomac Foundation në Uashington, Armata e Parë e tankeve, një nga njësitë më elitare të ushtrisë ruse, nga Moska ku zakonisht gjendet është spostuar rreth 400 kilometra më në jug, në një pikë strategjike në rast të një sulmi nga lindja, që mund të nisë nga zona e Kursk dhe Belogrod, ku njoftohen lëvizje të ethshme.   

Kufiri verior

Por Kievi nuk duhet t’i druhet vetëm një sulmi nga Rusia. Prania e Moskës është e fortë këto ditë edhe në Bjellorusi, shtetin satelit ku dy ushtritë, jo rastësisht, kanë filluar stërvitjen ushtarake më madhështore pas Luftës së Ftohtë. Aktualisht, rreth 30 mijë ushtarë – numër i frikshëm po të mendosh se bëhet fjalë për disa nga repartet më elitare të ushtrisë, ndër to edhe forcat speciale Spetsnaz, por edhe mjete të sofistikuara si avionët SU-35 dhe raketat Iskander dhe S-400.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

Duke parë afërsinë e kufirit bjellorus me Kievin, rreth 60 kilometra, një sulm nga ky front do të nënkuptonte padyshim pushtimin e kryeqytetit ukrainas. Por kjo hipotezë të paktën, për sa i përket një sulmi nga toka, nuk duket shumë i mundshëm. Kufiri mes dy vendeve, ndahet nga këneta e Pripetit, një nga më të mëdhatë në kontinent, një zonë plot bimësi dhe ujë që e bën pothuajse të pamundur marshimin, dhe ku kanë dështuar më parë edhe forcat nazistë, kur sulmuan Bashkimin Sovjetik.

Kufiri Jugor

Moska pushtoi zonën e Krimesë në 2014, ndaj ajo zonë mund të jetë baza e një sulmi kryesor, që mund të shkaktojë një dëm të madh për Kievin, bllokimin e daljes nga deti.

Analistët mendojnë se objektivi i një sulmi të këtij tipi, do të ishte marrja e qytetit të Odesës, një operacion i vështirë dhe që do të kushtonte gjakderdhje nga të dyja palët. Aty, rusët mund të merrnin ndihmën edhe të trupave që nga rënia e Bashkimit Sovjetik ende ndodhen në Transnistria-n e afërt, Republikën Separatiste në Moldavi me kryeqytet Tiraspolin.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *