Tensionet në kulm/ Deklarata e fortë nga Rusia: Nuk do presim përgjithmonë. Do të ketë një përgjigje që do ta vendosë Perëndimin në pozicion rreziku
Zëvendëskryetari i Dumës ruse, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit të Rusisë, Vyacheslav Nikonov, është munduar të qetësojë opinionin ndërkombërar duke thënë se nuk ka “asgjë të veçantë” në stërvitjet ushtarake ruse rreth Ukrainës.
I pyetur nga BBC për dislokimin e madh ushtarake në kufijtë e Ukrainës, Nikonov u shpreh:
“Epo, para së gjithash informacionet për grumbullimin e trupave ruse në kufi i marrim nga burimet perëndimore, kështu që ju duhet ta dini më mirë… Përsa i përket Rusisë, stërvitjet janë standarde, të rregullta dhe nuk ka asgjë të veçantë në këtë”.
Megjithatë Nikonov ka paralajmëruar se nëse Rusia nuk merr një “përgjigje pozitive” lidhur me shqetësimet e saj të sigurisë, do të ketë “disa përgjigje teknike”, që do ta vendosin Perëndimin “në të njëjtin pozicion rreziku”.
Ai tha: “Rusia është ende duke pritur për një përgjigje pozitive për shqetësimet e saj të sigurisë. Por ende duke pritur … nuk do të presim përgjithmonë. Do të ketë një përgjigje teknike, e cila do ta vendosë Perëndimin në të njëjtin pozicion rreziku.
Është gjithashtu e qartë se Perëndimi nuk është i përgatitur për të futur Ukrainën në NATO, kështu që pse të mos kemi një marrëveshje për këtë? Sa i përket armëve bërthamore taktike në Evropën Perëndimore, çfarë kuptimi kanë ato bërthamore? Ne nuk i kemi në tokë të huaj”.
Por përse Rusia dhe Putin është i shqetësuar rreth anëtarësimit të Ukrainës në NATO?
Rusët kërkojnë garanci ligjore që Ukrainës t’i mohohet anëtarësimi në NATO, duke e ditur se NATO-ja si çështje parimore nuk e ka përjashtuar asnjëherë anëtarësimin e mundshëm për asnjë vend evropian, madje as për Rusinë, por nuk ka plane për ta nisur procesin e anëtarësimit të Ukrainës në një të ardhme të afërt. Parimi i cituar nga NATO-ja është se të gjitha vendet duhet të jenë të lira të zgjedhin aleancat e tyre.
Arsyeja e deklaruar është se një zgjerim i mëtejshëm i NATO-s drejt lindjes do të përbënte një kërcënim sigurie për Rusinë. Uashingtoni dhe aleatët e tij mohojnë se ky është një shqetësim i vlefshëm, pasi asnjë vend i NATO-s nuk po kërcënon të përdorë forcën kundër Rusisë.
Putin dëshiron që NATO të tërheqë praninë e saj ushtarake në Evropën Lindore, e cila përfshin një seri dislokimesh me rotacion të rregullt në vendet ish-sovjetike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë.
Rruga Press