Scholz në Ukrainë: Jemi me ju
Kancelari gjerman Olaf Scholz u takua të hënën në Kiev me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskij, ku shprehu mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën.
“Gjermania është në anën tuaj. Vendi im është i befasuar nga lëvizjet demokratike në Ukrainë dhe shtegu pro-evropian që ajo ndjek që prej 2014-s”, deklaroi Scholz.
Ai shtoi se gjatë vizitës që do të zhvillojë të martën në Moskë do ta vërë theksin tek pasojat e rënda me të cilat do të përballet Rusia në rast pushtimi.
Kremlini, për të ndalur sulmin ndaj Ukrainës ka kërkuar nga Perëndimi që:
- Ukraina të mos pranohet në NATO
- NATO-ja t’i japë fund aktivitetit ushtarak në Evropën Lindore dhe të tërheqë trupat nga Polonia dhe republikat baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania
- Aleanca veriatlantike të mos pozicionojë raketa në shtetet afër apo në kufi me Rusinë
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë përgjigjur duke thënë se Ukraina ka të drejtë të zgjedhë aleatët e vet, mirëpo i kanë ofruar Rusisë mundësinë e negocimit rreth raketave dhe çështjeve tjera.
Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.
Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona.
Rruga Press