Foto e parë e takimit me Presidentin e Ukrainës, mesazhi i fortë i kancelarit gjerman: Jemi dëshmitarë të një kërcënimi shumë, shumë serioz për paqen në Evropë
Kancelari gjerman Olaf Scholz shkoi këtë të hënë, 14 shkurt në Kiev dhe të martën (15 shkurt) do të jetë në Moskë për të diskutuar për krizën dhe tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës.
The Guardian ka publikuar dhe foton e parë nga takimi i Presidentit Volodymyr Zelensky dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz në Kiev të Ukrainës.
Sakaq, para mbërritjes në Kiev, kancelari gjerman doli me një mesazh të fortë.
Në një postim në Twitter, Scholz publikoi një foto teksa ngjitej në avion për t’u nisur drejt Ukrainës për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelenskiy.
“Rrugës për në #Ukrainë. Sot në Kiev dhe nesër në Moskë do të vazhdoj bisedimet tona për situatën ende shumë serioze në kufirin ukrainas. Në Kiev, është e rëndësishme për mua të shpreh solidaritetin dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën.
Ne presim urgjentisht shenja të de-përshkallëzimit nga Moska. Agresioni i mëtejshëm ushtarak do të kishte pasoja shumë të rënda për Rusinë. Unë jam absolutisht dakord me aleatët tanë për këtë. Ne jemi dëshmitarë të një kërcënimi shumë, shumë serioz për paqen në Evropë”, shkruan Scholz.
Rruga Press