Largimi i të rinjve nga vendi/”Der Standard” rrëzon propagandën e Veliajt
Gazeta gjermane “Der Standard” rrëzon propagandën e kryebashkiakut Erion Veliaj për Tiranën si kryeqytetin europian të rinisë, duke dhënë shifra të frikshme për braktisjen e vendit nga të rinjtë. Ndër shkaqet kryesore gazeta rendit varfërinë. Në artikull bëhet me dije se nga viti viti 2008 deri në vitin 2018, nga Shqipëria janë larguar mbi 1 milion persona mes tyre dhe truri i Shqipërisë.
Që prej shpalljes së Tiranës, si “Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022” nga organizmat europianë, kryebashkiaku Erion Veliaj ka propaganduar programe ambicioze që do të synojë të adresojë nevojat e të gjithë të rinjve të saj.
Por ku janë të rinjtë për të cilët Veliaj programon t’i lidhë ata me vlerat europiane?
Ata e kanë braktisur Tiranën dhe enden rrugëve të shteteve europiane.
Ky është konstatimi i një artikulli analitik të gazetës gjermane “Der Standard”.
Në shkrimin e Der Standard thuhet se ndërkohë që Tirana mori këtë titull, të rinjtë po emigrojnë.
Nga viti 2008 deri në vitin 2018, nga Shqipëria janë larguar mbi 1 milion persona, ndërsa ata që kanë mbetur këtu kanë deklaruar se do të largohen sapo t’ju jepet një mundësi.
“Der Standard” sjell në vëmendje edhe të dhënat e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik, ku thuhet se deri në 83 për qind e njerëzve të arsimuar në Shqipëri po përpiqen të gjejnë mënyra për t’u larguar sa më shpejt nga vendi i tyre.
E konsideruar nga Bashkia e Tiranës si simbol i të rinjve, punimet tek Piramida vendosen në pikëpyetje sipas gazetës gjermane.
“Megjithatë, ende nuk duket sikur punimet për ndërtimin e objektit monumental të rrënuar tashmë janë brenda afateve të përcaktuara. A do të jetë vërtet e mundur që restaurimi i Piramidës të përfundojë brenda këtij viti?” thuhet në artikull.
Një nga arsyet kryesore që rendit gazeta për largimin e të rinjve është varfëria.
Kjo pasi Shqipëria është ende një nga vendet më të varfra në Evropë, me të ardhura mesatare mujore që në vitin 2020 ishin rreth 430 euro.
Ndërsa sa i përket procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria nuk po bën hapa para, thuhet ndër të tjera në këtë artikull.
Rruga Press