Lajme

Shtëpitë e barit që mbinë nën hundën e OSHEE

Ambientet e përshtatura për kultivim kanabisi me llamba ose siç njihen ndryshe ‘shtëpitë e barit’ po kthehen në një fenomen në Shqipëri. Metoda që përdorin trafikantët është e njëjtë me ato që njihen si “shtëpitë e barit” në Britaninë e Madhe dhe Spanjë.

Pothuajse në të gjitha operacione policore ku janë zbuluar laboratorë droge janë arrestuar jo vetëm kultivues, por edhe punonjës së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë elektrike, të cilët kanë lejuar lidhjet e paligjshme të energjisë që mundësojë këtë veprimtari të jashtëligjshme.

2 punonjës të OSHEE u arrestuan këtë të shtunë gjatë një operacioni të policisë së Tiranës ku u zbulua një shtëpi e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike në Ndroq. Qemal Hasa, elektricist dhe Erion Mema, faturist u vunë në pranga për shpërdorim detyre.

Vetëm disa ditë më parë u zbulua një ambient brenda një banese në fshatin Turan të Korçës e përshtatur për t’u kthyer në shtëpi bari. Brenda shtëpisë kishte llamba dhe hapësirë të mjaftueshme për të kultivuar kanabis, përmes vjedhjes së energjisë elektrike.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Në janar të këtij viti, 5 punonjës të OSHEE u vunë në pranga pas zbulimit të një shtëpie bari në Bërdicë të Shkodrës, pasi nuk kishin konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, në zonën që ata kishin në monitorim.

Në atë operacion u sekuestrua sasia rekord prej 1200 fidanë narkotikë të kultivuar në vazo dhe 730 bimë të dyshuara kanabis sativa.

Në muajin tetor, në zonën e ‘Astirit’ në Tiranë u zbulua një banesë e marrë me qira që përdorej nga trafikantët për kultivim kanabisi. Policia arrestoi 3 persona, një prej të cilëve, i punësuar për ruajtjen e këtij ambienti.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Në qershor të një viti më parë, policia e Durrësit zbuloi një shtëpi bari në Hardhishtë të Shijakut. 3 persona u shpallën në kërkim, mes tyre një elektricist.

Në maj të 2021, në Durrës arrestua administratori i një pallati që e kishte shndërruar katin e nëntë të pallatit, të cilin e kishte marrë me qira, në një ambient për kultivim kanabisi me llamba. 2 elektricistë u proceduan penalisht për shpërdorim detyre.

Shtëpi kanabisi janë zbuluar nga policia edhe në Lushnjë e Lezhë.

Mundësitë e kufizuara për të kultivuar kanabisin në tokë të hapur për shkak të monitorimit ajror po shtyjnë trafikantët të ndjekin këtë strategji. Kryesisht banesat e përshtatura në laboratorë kultivimi merren me qira nga trafikantët që më pas i vendosin pajisje speciale si llambat, aspiratorët e fuqishëm apo sistem ujitjes e tharës të bimëve narkotike.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *