Mesiq: Jugosllavia mund të shpërbëhej pa luftë po të mos ishte politika shoviniste e Millosheviqit
Ish-presidenti kroat dhe autori i librit “Si është rrënuar Jugosllavia”, Stipe Mesiq, ka përmendur ngjarjet që çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe përballjet e tij për Kosovën me kryekriminelin Sllobodan Millosheviq. Ai në takim me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, ka premtuar se do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm i kudondodhur në përkrahje të aspiratave integruese të Republikës së Kosovës, ka njoftuar Kuvendi përmes një komunikatë.
“Jugosllavia ka mundur të shpërbëhet pa luftë, por politika shoviniste e Millosheviqit ishte ajo që iu shkaktoi tragjedi popujve joserbë në këto hapësira. Ai mendonte se do të arrinte ta gënjente botën për “të drejtën serbe”, por gënjeu veten dhe serbët. Serbët vazhdojnë ta urrejnë Millosheviqin jo pse shkaktoi gjithë ato luftëra të përgjakshme, por pse i humbi ato”, tha ndër të tjera Mesiq.
Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova dhe Kroacia kanë marrëdhënie të forta miqësie dhe bashkëpunimi në shumë fusha me interes të përbashkët, përfshirë edhe atë të legjislativit. Sipas kryetarit Konjufca, Kroacia ishte dhe do të jetë edhe më tutje mbështetëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike.
“Jeni gjithmonë i mirëpritur dhe Kosovën mund ta konsideroni si shtëpinë tuaj”, u shpreh kryetari Konjufca.
Ndërkohë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ish-Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiq dhe ish-Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi. Presidentja Osmani ka falënderuar ish-presidentët Mesiq dhe Topi për angazhimin e tyre të vazhdueshëm personal në mbështetje të Republikës së Kosovës, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Gjatë takimit u theksua se raportet e ngushta ndërshtetërore në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë janë ndërtuar mbi themele të forta historike dhe respekt të ndërsjellë tradicional në mes të kombit shqiptar dhe atij kroat.
Në këtë takim, Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet tri shteteve, përballë sfidave rajonale dhe globale dhe në funksion të stabilitetit dhe avancimit të agjendave Euro-Atlantike në Ballkanin Perëndimor.
Presidentja Osmani shprehu besimin e saj se ish-presidentët Mesiq dhe Topi do vazhdojnë të jenë avokues për Republikën e Kosovës në qarqe dhe forume ndërkombëtare ku ata marrin pjesë.
Rruga Press