Paralajmërimi i Stotlenberg: Ka rrezik për një konflikt të armatosur në Europë
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi të premten mbi rrezikun real për një konflikt të ri të armatosur në Evropë, pasi si aleanca ashtu edhe Rusia po rrisin praninë e tyre të trupave rreth Ukrainës. Timesofisrael shkruan se Moska ka rreth 100,000 trupa të stacionuara afër kufirit të Ukrainës dhe liderët perëndimorë janë përpjekur të zhvillojnë bisedime me Rusinë nga frika e një sulmi.
Një total prej 1,000 trupash shtesë të SHBA, të destinuara për të forcuar krahun lindor të NATO-s po mbërrijnë në Rumani këtë javë, ndërsa më shumë trupa dhe pajisje po dërgohen gjithashtu në vende të tjera të Evropës Lindore.
“Ekziston një rrezik real për një konflikt të ri të armatosur në Evropë. Numri i trupave ruse po rritet dhe koha e paralajmërimit po zvogëlohet. Në të njëjtën kohë, ne nuk kemi asnjë siguri, dhe për këtë arsye ne vazhdojmë t’i drejtohemi Rusisë për t’i bërë thirrje asaj që të de-përshkallëzojë dhe të angazhohet me mirëbesim në dialogun politik me NATO-n dhe aleatët e NATO-s,” u tha Stoltenberg gazetarëve pasi vizitoi bazën Mihail Kogalniceanu pranë Detit të Zi me presidentin rumun Klaus Iohannis.
Tensionet vijnë gati 8 vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë në Ukrainë dhe mbështeti një rebelim të përgjakshëm në rajonin lindor të Donbasit. Gjithashtu, Moska akuzon qeverinë ukrainase për dështimin në zbatimin e marrëveshjes së Minskut – një marrëveshje ndërkombëtare për të rivendosur paqen në lindje, ku rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të territorit. Së fundmi, Rusia po këmbëngul se Ukraina nuk duhet të lejohet të bashkohet me NATO-n. Në krah të Ukrainës ka nxituar të reshtohet SHBA, si mundësi për të treguar superioritet mbi Rusinë, e nga ana tjetër vendet e Europës janë të lëkundura lidhur me qëndrimin e tyre, megjithatë mbështetjen më të madhe e kanë drejtuar në Ukrainë.
Rruga Press