KryesoreOpinion/Aktualitet

Ky është njeriu më i besueshëm i Putinit në Gjermani

Nga Enver Robelli

Matthias Waring dikur ka qenë oficer i shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore. Sot, 66-vjeçar, ai është shërbëtori më i devotshëm i Vladimir Putinit në Gjermani.

Matthias Warnig dhe Vladimir Putin njihen ngaherë. Se kur janë takuar për herë të parë, nuk dihet. Dhe kjo është mbase e kuptueshme: të dy kanë punuar për shërbimet sekrete të shteteve të tyre, të cilat ishin pjesë e “parajsës komuniste” (sipas vetëpërshkrimit propagandistik) ose “perandorisë së të keqes” (sipas definicionit perëndimor): Putin ka qenë agjent i KGB-së, Warnig i Stasit, shërbimit sekret të Gjermanisë lindore. Është në natyrën e punës së agjentëve që mundësisht të mos shpalosin asgjë nga biografia e tyre, sidomos nga koha kur kanë qenë aktivë në shërbimet përkatëse sekrete. E dëshmuar është se Matthias Warnig dhe Vladimir Putin më 1997 i kanë kaluar pushimet e përbashkëta dimërore në Davos të Zvicrës – bashkë me familjet e tyre.

Tre vite më vonë Boris Jelcini e instaloi Vladimir Putinin si pasardhës dhe për Matthias Warnigun u hapën gati të gjitha portat e Kremlinit. Thuhet se nuk ka gjerman tjetër që ka qasje pa protokoll te Putini. Warnig është anëtar i bordeve të ndërmarrjeve më të mëdha ruse: banka VTB, ndërmarrja e naftës Rosneft, gazsjellësi Transneft, Gazprom (selia në Zvicër) dhe klubi i futbollit Schalke 04, sponsor kryesor i të cilit është Gazpromi. Matthias Warnig është – krahas ish-kancelarit Gerhard Schröder – lobisti më i madh i interesave ruse në Gjermani. Ai ka përkrahur me ngulm ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 1 dhe 2 (selia e këtyre firmave është në Zug të Zvicrës). Sipas gazetës gjermane “Die Welt” Putin takohet çdo tri javë me mikun e tij gjerman Matthias Warnig.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Gazeta amerikane “Wall Street Journal” shkroi që më 2005 se Putini e ka takuar oficerin e Stasit, Matthias Waring, më 1989 në Dresden dhe e kishte angazhuar që të rekrutojë agjentë për shërbimin sekret sovjetik. Warnig demanton këtë version dhe thotë se për herë të parë e ka takuar Putinin më 1991 në Shën Petërburg, ku Putini ishte zyrtar i administratës së qytetit dhe Warnig dëshironte të hapte një filial të Dresdner Bankës në Rusi. Mes viteve 1986-1989 Warnig ka spiunuar firmat e Gjermanisë perëndimore në Düsseldorf dhe rrethinë – mes tyre edhe Dresdner Bankën. Më vonë kjo bankë do ta bëjë Warnigun shef të filialit në Rusi. Kur më 1993 Ludmilla Putina, gruaja e atëhershme e Putinit, u lëndua rëndë në një aksident komunikacioni, trajtimin e saj mjekësor në Gjermani e pagoi Dresdner Banka.

Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare më 2005 në shërbim të Putinit u vu edhe ish-kancelari Gerhard Schröder. Ai sot është anëtar i disa bordeve të ndërmarrjeve ruse, mes tyre Gazprom. Kësisoj filloi ndërtimi i një rrjeti të Putinit në Gjermani. Lojaliteti i Schröderit dhe Warnigut ndaj Putinit është i padiskutueshëm. Më 2007 Putin mbajti një fjalim në Konferencën e Sigurisë në München, i cili konsiderohet si ndarje e qartë me Perëndimin. Putin akuzoi SHBA-të se synojnë “sundim monopolar të botës”, se “i kanë tejkaluar kufijtë në gati të gjitha fushat” dhe kundërshtoi zgjerimin e NATO-s dhe Bashkimit Europian në Europën Lindore. Më 2014 Putin aneksoi siujdhesën ukrainase të Krimesë dhe Schröder i doli në mbrojtje, duke thënë se edhe Perëndimi e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare (në rastin e Kosovës). Ky krahasim është johistorik, sepse Krimeja dhe Kosova janë raste krejtësisht të ndryshme. Në krizën aktuale Schröder nuk e akuzon Rusinë, por Ukrainën për “vringëllim të shpatave”.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Për shërbimet e tij që po ia bën Kremilit, Schröder tani është shpërblyer me postin e anëtarit të bordit të Gazpromit. Sipas vlerësimeve të mëhershme Schröder merr 250 mijë euro në vit për angazhimin e tij në Nord Stream AG dhe 600 mijë për postin te ndërmarrja e naftës Rosneft. Warnig hesht kryesisht, por në prapavijë ai është tejet i angazhuar për përfaqësimin e interesave ruse në Gjermani. Gazsjellësi Nord Stream 2 është ndërtuar dhe pret certifikimin nga Berlini dhe Brukseli. “Rusia ka përkrahës të fuqishëm në Gjermani. Ata minimizojnë vrasjen e disidentëve, i ndihmojnë Moskës në bizneset me gaz dhe kanë kontakte në nivelet më të larta”, shkruan “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” në një hulumtim mbi rrjetin e Putinit dhe Schröderit në Gjermani.

Në një koment të botuar të hënën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ishte edhe më e qartë: “Në çështjen e luftës dhe paqes Gerhard Schröderi është në shërbim të agresorit. Gjermania duhet të tërheq konsekuencat”. Çka domethënë kjo? Si ish-kancelar Schröder gëzon disa privilegje, përfshirë një zyrë dhe një shofer. Tani ka kërkesa që Schröderit t’i merren këto privilegje për shkak se “me infrastrukturë gjermane” po i shërben Putinit. Warnig nuk ka halle të tilla. Privilegjet e tij e kanë një adresë: Kremlinin.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *