Propaganda ruse e gjithpranishme në Ballkan nëpërmjet Serbisë
Ndikimi i mediave të huaja shtetërore ruse në opinionin publik në demokracitë perëndimore është tashmë i njohur – pavarësisht nga kualifikimi i saj politik. Ekzistojnë analiza të mirë-dokumentuara, p.sh. nga SHBA, Franca dhe Gjermania. Parlamenti Evropian ka kërkuar vazhdimisht që vendet anëtare të miratojnë strategji kundër “propagandës armiqësore” nga Moska, raporton The Geopost.
Një studim i Friedrich Nauman Fundation dëshmon se situata në gadishullin ballkanik është krejtësisht ndryshe. Materiali i medias ruse është shumë i mirëpritur në këtë rajon, i cili shpesh përmbajtjen propagandistike e pranon nëpërmjet mediave në gjuhën serbe.
“Elita politike, si në vendin më të madh dhe më të rëndësishëm ballkanik, Serbi, ose në gjysmën serbe të Bosnjë-Hercegovinës, tradicionalisht mban lidhje të ngushta me Rusinë. Meqenëse elita politike – mbi të gjitha Presidenti Aleksandar Vuçiq – kontrollon pothuajse plotësisht peizazhin mediatik, ofertat mediatike nga Rusia janë shumë të mirëpritura. Për shkak se media e shkruar dhe elektronike serbe vuan nga financimi i pamjaftueshëm kronik, informacioni falas i ofruar nga Rusia fiton edhe më shumë rëndësi”, shkruan autori i studimit, Dr. Thomas Brey.
Studimi thotë se Sputnik dhe Russia Today po bëhen burime kryesore të informacionit për ngjarjet në gjeopolitikën rajonale dhe globale. E ky informacion shpesh nuk korrespondon me të vërtetën. Duke analizuar raportet e Sputnik, raporti konstaton se ky aty rrallë respektohen normat dhe etika gazetareske – përkundrazi, njëanshmëria dhe tendenca mbizotërojnë.
“Matrica në Sputnik është e qartë. Nuk ndjek gazetarinë klasike – për shembull, lajmet dhe komentet nuk janë të ndara. Burimet trajtohen në mënyrë sipërfaqësore, shumë më të pakujdesshme dhe, mbi të gjitha, me një objektiv në mendje. Prandaj qëllimi nuk është që ofrojnë informacion shterues, por për të promovuar dhe arritur objektivat politike”, thuhet në raport.
Sipas dokumentit, gazetarët në Sputnik nuk mendojnë për punën e tyre nga këndvështrimi i lexuesit/përdoruesit, por në vend të kësaj ndjekin një rrugë të njëanshme për sa i përket përmbajtjes nga lart poshtë. “E thënë figurativisht, pikëçuditja është shenja e pikësimit e preferuar. Mediat perëndimore përpiqen (të paktën në mënyrë ideale) të bëjnë pyetje në mënyrë të pavarur, për të mos anashkaluar apo shtrembëruar asgjë. Shenja e tyre e pikësimit e preferuar është pikëpyetja.”, thotë studimi duke krahasuar Sputnikun me mediat perëndimore.
Elementet kryesore të përbërjes së Sputnik, sipas dokumentit, përfshijnë raportim selektiv në vend të raportimit gjithëpërfshirës; nuk ka rëndësi ngjarja, por vendi i synuar dhe, për shkak të kësaj, janë të fryra në një masë që nuk korrespondon me realitetin; burimet në raporte janë ose të parëndësishme për një çështje që mbulohet, i njëanshëm ose i peshuar në mënyrë disproporcionale; përqendrimi në ngjarje individuale në vend të çështjeve të rëndësishme që vendosen në kontekstin e gabuar ose përshkruhen pa kontekst; identifikimi i bazës së përbashkët ruso-serbe apo rrugën deri në vëllazëritë e supozuara; moralizimi i çështjeve – Rusia dhe Serbia vetëviktimizohen; shpjegimi i politikës së jashtme ruse në mbarë botën në mënyrë që të krijohet mirëkuptim dhe miratim; “dëshmi” se teknologjia ruse e armëve është shumë më e përparuar se teknologjia ushtarake në Perëndim; glorifikimi i personit të Putinit si një lider ideal dhe model për politikanët e lartë serbë (dhe të huaj); mbështetja e elitës politike serbe dhe pro-ruse në rajon, duke dobësuar opozitën; “dëshmi” që demokracitë perëndimore janë të dënuara të dështojnë; “epërsia” e politikës dhe ekonomisë së Rusisë kundrejt perëndimit; duke ndikuar në vendet e ish-Jugosllavisë nëpërmjet mbjelljes së mosmarrëveshjeve dhe theksimit të dallimeve, si p.sh. i serbëve kundër kroatëve, shqiptarëve, malazezëve…
Qëllimi i propagandës së Sputnik, sipas raportit, është edhe parandalimi i Ballkanit të jetë pjesë e strukturave euroatlantike. BE paraqitet më një dritë ekskluzivisht negative për të parandaluar Serbinë dhe Malin e Zi të shkojnë përpara në negociatat për anëtarësim, dhe duke demotivuar Maqeoninë e Veriut të bëjë reformat për të nisur ato negociata.
Fuqia mediatike nga Rusia në këtë pjesë të Ballkanit, sipas studimit, siguron që BE dhe SHBA shpesh të dalin të humbur në këtë betejë. Edhe pse BE-ja është donator dhe investitor më i madh në Serbi (i ka 67 për qind e të gjitha investimeve të huaja), një pjesë e madhe e popullsisë besojnë se Rusia dhe Kina janë në pozita udhëheqëse në këtë fushë. Edhe pse Serbia kryen shumicën dërrmuese të tregtisë së saj (62 për qind) me BE-në, shumë serbë besojnë se Rusia është partneri më i afërt ekonomik i vendit. Serbia, ndërkohë, është një nga tre vendet e para në botë që përfitojnë nga transferime parash nga Brukseli, duke marrë rreth 300 milionë euro ndihma e pakthyeshme çdo vit. Edhe pse BE-ja po përpiqet të ndihmojë Serbinë të ndërtojë demokracinë me miliarda euro, anketat tregojnë se shumica e serbëve preferojnë një formë qeverisjeje diktatoriale të stilit rus – një “lider të fortë”.
Anketat e realizuara në kuadër të studimit thonë se pozicioni i Serbisë mes dy poleve – të Rusisë dhe BE-së – megjithatë është më shumë në anën e Moskës. Afër 85 për qind e serbëve të anketuar besojnë se vendi i tyre nuk ka statusin ndërkombëtar që meriton në fakt. Ndërkohë, 70 për qind ia atribuojnë BE-së një pjesë të fajit për këtë, sepse është në kundërshtim me interesat e Serbisë. Rreth 71 për qind e shohin NATO-n si një kërcënim për sigurinë evropiane. Në një anketë paralele në disa vende, vetëm qytetarët rusë ishin më të fortë në këtë opinion.
Xhelal Neziri – The Geopost
Rruga Press