Bota

Blinken: SHBA e angazhuar të ndihmojë Evropën për t’u furnizuar me energji

Shtetet e Bashkuara thonë se do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar Evropën për t’u furnizuar me energji në kushtet e shqetësimeve mbi furnizimet nga Rusia dhe krizën e lidhur me Ukrainën. Sekretari amerikan i Shtetit e shprehu këtë angazhim të hënën, gjatë takimit të Këshillit SHBA-BE për energjinë në Uashington.

Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë në bisedime me qeveri dhe prodhues gazi në gjithë botën për burime shtesë energjie për Evropën. Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell tha se Rusia nuk ka hezituar të përdorë furnizimet me gaz për Evropën si armë për përfitime politike.

Ai shtoi se “duhet të dërgojmë një mesazh të fortë dhe të tregojmë vendosmëri për të konsoliduar sigurinë energjitike për Evropën dhe fqinjët tanë në Ukrainë dhe Ballkanin Perëndimor”.

Më herët Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen tha se BE-ja po krijon një partneritet për sigurinë energjitike me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera për shtimin e furnizimeve të tyre për Evropën.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Përshkallëzimi i tensioneve mes Perëndimit dhe Moskës lidhur me Ukrainën ka ngjallur shqetësime për furnizimin me gaz rus të Evropës. Çmimet janë rritur në nivele rekord muajt e fundit, mes të tjerash për shkak të uljes së sasisë së importeve nga Rusia.

Rezervat e gazit në Evropë janë rreth 10% më të ulëta se zakonisht për këtë periudhë të vitit. Gazprom ka thënë se po përmbush të gjitha kontratat afatgjata, por është akuzuar nga zyrtarët e BE-së dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë se po dërgon sasi të pamjaftueshme gazi në Evropë në mes të krizës për Ukrainën.

Zonja Von der Leyen tha se është “e çuditshme” që Gazpromi nuk ka rritur furnizimin me gaz të Evropës, pavarësisht çmimeve rekord dhe kërkesës së lartë.

“Ka shenja në rritje se Kremlini po vazhdon të përdorë furnizimin me gaz si mjet presioni politik,” tha ajo.

Rusia mbulon rreth 40% të nevojave të gazit të BE-së. Pasojat e mundshme në sasinë e furnizimin nëse Rusia pushton Ukrainën kanë nxitur BE-në të rrisë importin nga vende të tjera.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Zyrtarët e lartë të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara do të takohen në Uashington të hënën për bisedime lidhur me mundësinë e furnizimit me gaz natyror të lëngshëm (GNL). BE-ja po bën gjithashtu negociata me Katarin dhe Azerbajxhanin.

BE-ja ka thënë se infrastruktura e saj e magazinimit dhe aftësia për të importuar më shumë GNL duhet të jetë në gjendje t’i mbrojë vendet nga pasojat e rënda të mungesës së gazit, por analistët thonë se ndërprerja e plotë e furnizimit nga Rusia do të sillte nevojën e masave urgjente, si për shembull mbylljen e disa fabrikave.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Von der Leyen tha se çmimet e gazit mund të vazhdojnë të mbeten të larta. Shumica e vendeve të BE-së kanë zbatuar lehtësime në taksa, subvencione dhe masa të tjera për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e faturave në përgjigje të rritjes së fundit të çmimeve.

“Nuk përjashtohet mundësia që çmimet e gazit të mbeten të larta për një kohë të gjatë,” tha ajo. /voa/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *