Masa shtesë në mbarë botën pas përhapjes së variantit të ri të koronavirusit
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë po bën thirrje për intensifikim të studimit të sekuencës gjenetike të koronavirusit pas zbulimit të varianteve të reja në Britani dhe Afrikën e Jugut. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha gjatë një konference shtypi në internet të hënën nga Gjeneva se, “vetëm nëse vendet shqyrtojnë dhe testojnë në mënyrë efektive, do të jenë në gjendje të zbulojnë variantet dhe të hartojnë strategjitë për t’i përballuar ato”. Ai tha se OBSH-ja po punon nga afër me shkencëtarët në mbarë botën për të “kuptuar më mirë të gjitha ndryshimet tek virusi” dhe ndikimet e tyre. Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve që të ndajnë çdo të dhënë gjenetike me OBSH-në dhe vendet e tjera.
Zyrtarët britanikë kanë thënë se varianti i ri i koronavirusit të identifikuar në vend është më ngjitës, çfarë ka çuar në shtimin e mbylljeve dhe një valë kufizimesh globale të udhëtimeve me Britaninë. Të hënën, vende të tjera, përfshirë Finlandën dhe Korenë e Jugut zbuluan rastet e para të variantit të ri të koronavirusit. Një shtetas finlandez i cili u kthye nga Britania në vendin e tij kohët e fundit për pushimet e Krishtlindjes u diagnostikua me variantin e ri, sipas zyrtarëve finlandezë. Koreja e Jugut njoftoi të hënën se do të zgjasë një ndalim të fluturimeve direkte me Britaninë deri me 7 janar. Njoftimi erdhi pasi tre individë që kishin hyrë në vend kohët e fundit testuan pozitivë për variantin e ri të koronavirusit. Agjencia e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në Korenë e Jugut tha se tre individët kishin hyrë në vend me 22 dhjetor pasi kishin fluturuar nga Londa, duke i bërë ata rastet e para të njohura të variantit të ri të zbuluara në Korenë e Jugut.
Japonia, e cila njoftoi rastin e parë të variantit të ri të virusit javën e shkuar, e ka ndaluar hyrjen e të gjithë të huajve jo-rezidentë që nga mesnata e së hënës deri në fund të janarit. Indonezia njoftoi të hënën se do të ndalojë përkohësisht shtetasit e huaj që futeshin në atë vend për dy javë, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e variantit të ri të virusit. Arabia Saudite tha të hënën se po zgjat mbylljen e saj javore në të gjitha portet si rezultat i variantit të ri. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara hyri në fuqi të hënën vendimi që u kërkon të gjithë pasagjerëve që vijnë nga Britania që të testojnë negativ për COVID-19 brenda 72 orësh para nisjes.
Zyrtarët amerikanë thanë se afro 1.3 milionë pasagjerë kaluan në aeroportet amerikane të dielën pas festës së Krishtlindjes, niveli më i lartë i udhëtimeve ajrore në më shumë se nëntë muaj. Udhëtimet e mëdha ndodhën pavarësisht këshillave nga zyrtarët e shëndetësisë për të mos udhëtuar gjatë festave nga frika e shtimit të rritjes së infeksioneve me koronavirus.
Autoritetet ruse thanë të hënën se vendi kishte regjistruar 241,193 vdekje më shumë në periudhën prill-nëntor 2020 sesa gjatë së njëjtës periudhë vitin e kaluar. Shifra është dukshëm më e lartë se numri i vdekjeve në atë vend nga koronavirusi 55,265. Vdekjet e tepërta mund të përfshijnë viktimat nga COVID-19 që nuk u konfirmuan zyrtarisht nga zyrtarët mjekësorë, si dhe vdekjet nga shkaqe të tjera që mund të lidhen me mbipopullimin e spitaleve si rezultat i COVID-19 ose efekte të tjera të virusit në shoqëri.
Autoritetet britanike pritet të miratojnë këtë javë përdorimin e vaksinës nga AstaZeneca kundër koronavirusit. Drejtuesi i kompanisë ka thënë se vaksina do të jetë po aq e efktshme sa edhe vaksinat e prodhuara nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna. Pascal Soriot, shef ekzekutiv i firmës AstraZeneca, i tha gazetës “The Times” se kompania ka “gjetur formulën fituese dhe si të arrihet efikasiteti, pas dy dozave, njëlloj me të tjerët.” Ai shprehu besimin se vaksina e kompanisë së tij do të ishte gjithashtu efikase kundër variantit të ri të koronavirusit.
Nëse aprovohet, vaksina nga AstroZeneca do të bëhet e pesta që shpërndahet për të luftuar virusin. Testet e hershme treguan se vaksina ishte 70% e suksesshme për parandalimin e sëmundjes, krahasuar me 95% të raportuara nga Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech. Rusia dhe Kina po ashtu kanë vaksinat e tyre.
Po ashtu të hënën, një tjetër vaksinë kandidate kundër COVID-19 po fillon testimin në fazën përfundimtare në Shtetet e Bashkuara. Testi i vaksinës nga Novavax do të përfshijë 30 mijë vullnetarë për të përcaktuar nëse vaksina ka efekt dhe është e sigurt. Provat do të përqendrohen tek të moshuarit me rrezik të lartë, si dhe njerëz nga komunitetet afrikano-amerikane dhe hispanike, të cilat janë prekur në mënyrë disproporcionale nga virusi. Vaksina e fundit në horizont vjen ndërsa bota arriti një pikë të zymtë me mbi 81 milionë të infektuar nga virusi dhe mbi 1.7 milionë të vdekur në shkallë botërore, sipas Universitetit Johns Hopkins. Në Shtetet e Bashkuara 19.2 milion njerëz janë infektuar me koronavirus dhe më shumë se 334 mijë kanë vdekur.
Ndërkohë, pandemia ka bërë që autoritetet në Australi të ndalojnë grumbullimin e njerëzve për të ndjekur një nga festimet më popullore të botës, atë të ndërrimit të moteve. Kryeministrja e Uellsit të Ri Jugor (New South Wales) Gladys Berejiklian njoftoi të hënën se porti në Sidnei do të mbyllej për publikun në prag të Vitit të Ri për të parandaluar përhapjen e sëmundjes përtej plazhit verior të qytetit. 125 njerëz në atë zonë kanë testuar pozitiv për COVID-19 që nga mesi i dhjetorit, përfshirë pesë raste të reja të hënën.
Kremtimi i ndërrimit të moteve përfshin një shfaqje spektakolare me fishekzjarre që ndriçon qiellin mbi pallatin e famshëm të operas në Sidnei. Të paktën 1 milion njerëz mblidhen për të ndjekur këtë shfaqje fishekzjarresh, por kryeministrja ka thënë se mënyra më e sigurt që banorët e Sidneit të ndjekin shfaqen është përmes ekranit të televizionit nga shtëpitë e tyre./VOA/