Bota

Blinken kërkon nga Rusia t’i tërheqë trupat nga kufiri me Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli të martën (1 shkurt) me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, pas përgjigjes me shkrim të SHBA-së ndaj kërkesave të Rusisë për sigurinë.

Blinken theksoi gatishmërinë e SHBA-së dhe aleatëve të saj perëndimor, për të vazhduar bisedimet me Rusinë mbi shqetësimet reciproke të sigurisë, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, duke cituar sekretarin Blinken.

Price tha se Blinken ka përsëritur angazhimin e SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe të drejtën e të gjitha vendeve për të përcaktuar politikën dhe aleancat e tyre të jashtme.

Blinken ka kërkuar tërheqjen trupave dhe pajisjeve ruse nga kufijtë e Ukrainës. Ai ka theksuar se pushtimi i mundshëm i Ukrainës, do ta përballte Rusinë me pasoja të shpejta dhe të rënda dhe kërkoi nga Moska të ndiqte rrugën diplomatike.

Lexo më shumë  Konfirmohet përbërja e re – Komisioni i ri i Ursula von der Leyen merr miratimin përfundimtar

Kjo bisedë telefonike midis dy kryediplomatëve vjen në kohën e rritjes së shqetësimeve, pasi Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën, që po shihet si përgatitje për një pushtim të mundshëm.

Bisedimet midis Blinkenit dhe Lavrovit janë bisedimet e para direkte të diplomatëve, që prej se Uashingtoni dërgoi përgjigje të shkruar javën e kaluar për kërkesat e sigurisë së Rusisë.

Para bisedimeve, Ambasada e Rusisë në Uashington tha më 1 shkurt se Moska nuk do të tërhiqet para kërcënimeve amerikane për sanksione.

“Ne nuk do të zmbrapsemi dhe qëndrojmë të vëmendshëm, duke dëgjuar kërcënimet e sanksioneve amerikane”, tha ambasada përmes një postimi në Facebook, duke shtuar se është “Uashingtoni, dhe jo Moska, që po gjeneron tensione”.

Lexo më shumë  Ndihma norvegjeze për Ukrainën do të arrijë në 2.7 miliardë dollarë në 2025

Kryeministri britanik, Boris Johnson, po ashtu pritet të udhëtojë për në Kiev më 1 shkurt për bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

“Si një mike dhe partnere demokratike, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin e Ukrainës në dritë të përpjekjeve të atyre që tentojnë ta shkatërrojnë atë”, tha Johnson përmes një deklarate.

Kryeministri britanik po ashtu pritet të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin para se të niset drejt Ukrainës. Në deklaratën e lëshuar ai edhe një herë i bëri thirrje Rusisë të angazhohet në dialog, që të gjendet një zgjidhje diplomatike.

Rusia mohon se po planifikon që ta sulmojë Ukrainën.

Rruga Press

YouTube player