Nafta 200 lekë rrëzon ekonominë. Flasin ekspertët: Do të rriten kostot, thellohet varfëria
Pasoja shkatërrimtare për industrinë e ekonominë parashikojnë ekspertët të sjellë rritja e radhës e çmimit të karburanteve. Ata thonë se qeveria nuk ka vizion dhe as vullnet për të zbutur pasojat e shtrenjtimit të lëndëve djegëse ndërsa hedhin akuza për ekzistencën e monopoleve në tregun vendas.
Rritja e çmimit të karburanteve pritet të sjellë pasoja shkatërruese në ekonominë shqiptare. Zef Preçi, ekspert ekonomie thotë se shtrenjtimi i lëndëve djegëse do të rrisë kostot e mallrave dhe shërbimeve e rrjedhimisht do të thellojë varfërinë.
“Qytetarët varfërohen, konsumi tkurret dhe qeveria shton të ardhurat. Është paradoksale por kështu ndodh dhe ka ndodhur” tha Zef Preçi.
Industritë po ashtu pritet të përballen me vështirësi të mëdha. Rritja e njëkohshme dhe e përsëritur e çmimeve për administratorin e Konfindustrias është tregues i pranisë së karteleve, monopoleve dhe oligopoleve në tregun vendas.
“Rritja e çmimit të karburanteve është shkatërrues për ekonominë, bizneset, mirëqënien e qytetarëve” thotë Buxhuku.
Gjergj Buxhuku, kërkon ngritjen e një Komisioni Parlamentar për hetimin e shkaqeve dhe rolin e munguar të institucioneve ekzekutive dhe rregullatore.
Për ekspertët e ekonomisë zgjidhjet ekzistojnë që qytetarët të mos preken nga rritja e çmimeve por qeverisë i mungon vullneti.
“Do të ishte e dëshirueshme të bëhet analiza e kostos, të shikohet pesha që zënë taksat dhe të synohet që taksat të harmonizohen me vendet e rajonit” thotë Zef Preçi.
“Fakti që nuk ndërhyhet ndërkohë që problemi është i pranishëm prej vitesh tregon qartë që politikat ekzekutive janë të kapura nga kartelet dhe oligopolet e karburanteve dhe energjisë elektrike” thotë Buxhuku.
Javën e fundit karburantet kanë arritur çmim rekord në Shqipëri. Nafta shitet me afro 194 lekë për një litër ndërsa benzina me 195 lekë për litër. Nga ana tjetër qeveria është shprehur se nuk mund të ndërhyjë por parashikon që rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe për të paktën 6 muaj.
Rruga Press