Lajme

‘Cënon sigurinë kombëtare’; KPK bën padi për mbajtjen sekret të donatorit

Përmes një kërkesë-padie, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit këmbëngul të mbajë të fshehtë emrin e sponsorit privat të aktivitetit që zhvilloi në resortin luksoz “Marina Bay” në Vlorë me argumentin se bërja publike cenon sigurinë kombëtare, procesin e vetingut si dhe imazhin e KPK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pretendon se transparenca mbi emrin e sponsorit privat që financoi një aktivitet të zhvilluar në resortin luksoz “Marina Bay” në Vlorë në fund të shtatorit të vitit të kaluar do të cenonte ‘sigurinë kombëtare”, sipas një kërkese padie që KPK ka bërë ndaj Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Në kundërshtim të vendimit të Komisionerit për ta bërë publik emrin, KPK ka listuar gjithashtu si argumente cenimin e procesit të vetingut të magjistratëve, të marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe të imazhit të vetë KPK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në fund të shtatorit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pranoi donacione nga një sipërmarrje private për të zhvilluar një aktivitet të titulluar “Raport dhe Strategji” në resortin luksoz “Marina Bay” në qytetin e Vlorës.

Aktiviteti u zhvillua më 30 shtator, por dymbëdhjetë komisionerët e KPK-së dhe tre pjestarë të stafit administrativ u akomoduan në hotel për dy net fjetje dhe u kthyen në Tiranë më 1 tetor. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe tre vëzhgues të ONM-së, por ndryshe nga Komisionerët ata nuk u akomoduan në resortin luksoz.

Lexo më shumë  Muja: Kontratat njëburimore janë përgjysmuar, propaganda e opozitës është e pabazë

Prej tetorit 2021, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka refuzuar kërkesat për të drejtë informimi të BIRN për vënien në dispozicion të emrit të kompanisë private dhe aksionerëve të saj që financuan aktivitetin.

KPK refuzoi gjithashtu të zbatonte një vendim të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i cili e urdhëroi KPK-në që të vendoste në  dispozicion të BIRN një kopje të plotë të marrëveshjes me kompaninë private që financoi aktivitetin.

Më 24 janar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ankimoi në Gjykatën Administrative të Tiranës vendimin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, KDI, duke këmbëngulur që ta mbajë sekret emrin e sponsorit privat.

Në kërkesë -padi nuk paraqiten argumente se pse bërja publike e subjektit që mbuloi shpenzimet e të gjithë aktivitetit do të sillte pasoja – por Komisioni rendit një sërë pretendimesh si justifikime lidhur me statusin e veçantë që gëzojnë komisionerët dhe përmbatjen e diskutimeve të tyre në mbledhje, për të cilat nuk është kërkuar informacion.

Gjithashtu, KPK pretendon se buxheti i shtetit nuk u mundëson mbulimin e shpenzimeve për aktivitete të tilla dhe se për këtë arsye, kanë të drejtë të përdorin financime të jashtme.

“Duke qenë në kushtet e një buxheti minimal dhe pamundësisë për të pasur një zë të posaçëm për organizim eventesh në ligjin vjetor të buxhetit, Komisioni siguroi donacion për zhvillimin e një aktiviteti,”, shkruhet në kërkesë-padi.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Komisioni e quan të mjaftueshme dhënien e kopjes së marrëveshjes pa emrin e sponsorit, duke pretenduar se në këtë rast prevalon interesi më i lartë “i sigurisë kombëtare”, nga e drejta e informimit.

“Ky vendim cenon sigurinë e mbledhjeve që mban KPK-ja, si dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, ato ndërmjet KPK-së dhe ONM-së, pasi në bazë të nenit 31 të Rregullores për veprimtarinë e KPK-së, diskutimet dhe mbledhjet e anëtarëve të Komisionit janë konfidenciale dhe në to nuk kanë akses as media dhe as publiku,” thotë KPK në kërkesë- padi, ndonëse BIRN nuk ka diskutimet mes anëtarëve të KPK në aktivitet.

Po ashtu, KPK vlerëson se KDI me vendimin e tij ka sjellë një pasojë të rëndë për imazhin e KPK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendit tonë në këtë proces, duke pretenduar se bazuar në këtë vendim, BIRN Albania mediatizoi aktivitetin dhe shpërndarja e këtij lajmi edhe nga mediat e tjera online, kanë sjellë cënim të imazhit të institucionit.

Në përfundim, KPK i kërkon gjykatës shfuqizimin e vendimit të Komisionerit, duke këmbëngulur që të mbajë të fshehtë sponsorin privat për aktivitetin në hotelin luksoz në bregdetin e Vlorës.

Rruga Press

YouTube player