Bashkia e Durrësit tenderë për rindërtimin në prag zgjedhjesh
Në prag të zgjedhjeve të pjesshme vendore bashkia e Durrësit ka rifilluar projekte të reja rindërtimi.
10 ditë më parë bashkia shpalli disa tenderë për rindërtimin e dhjetëra banesave në territorin e saj. Me paratë publike do të rindërtohen dhe përforcohen shtëpi dhe pallate, kryesisht në zonat rurale të Durrësit.
Fituesit e tenderëve pritet të shpallen më datën 7 shkurt, gati një muaj para votimit në Bashkinë e Durrësit.
Ndërkohë, këshilli bashkiak i Durrësit, vetëm një ditë pasi presidenti Meta shpalli datën e zgjedhjeve për kryetarin e kësaj bashkie, mori vendim që 25 familje të përftojnë nga rindërtimi.
Pak ditë më pas, më 28 janar këshilli bashkiak është mbledhur përsëri për të vendosur që rreth 500 familje të tjera të përfitojnë nga fondet e rindërtimit.
Vendimi nuk është bërë publik dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht, por Euronews Albania e ka konfirmuar nga burime brenda këshillit bashkiak.
Sipas shkallës së dëmtimit, familjet durrsake të përzgjedhura do të përfitojnë deri në 500 mijë lekë të reja për të bërë punimet ndryshme në banesat e tyre.
Pagesat e shumta për familjet e qarkut të Durrësit dhe tenderët e shumtë për rindërtimin, të ngjeshura në pak javë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, u kritikuan nga OSBE dhe partitë si përpjekje e paligjshme për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.
Duket sikur historia po përsëritet./euronews/
Rruga Press