Lajme

SHBA/ U mbajt Seminari V i gjuhës shqipe në shkollat e Diasporës

Sipas një tradite tashmë të konsoliduar, organizata dy-gjuhësore shqiptaro – amerikane AADLC, mbajti seminarin e V-të “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkollat e diasporës”. Seminari u zhvillua online me datën 30 janar, 2022, drejtuar nga znj. Drita Gjongecaj, themeluese dhe kryetare e kësaj organizate e cila i ka fillimet qysh në vitin 2016.

Në seminar morën pjesë mësues dhe specialistë të gjuhës shqipe nga New York, New Jersey, dhe Connecticut të Amerikës, si dhe nga Shqipëria, Kosova, Gjermania, Austria, Anglia, Zvicra, Greqia dhe Italia.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku prezantimet metodike janë bërë nga anëtarë profesionistë të AADLC, në këtë seminar prezantuan edhe mësues të shkollave shqipe në Greqi dhe Bavari të Gjermanisë. Platforma dhe sekuenca mësimore të zhvilluara drejtërdrejt me nxënësit në klasë u shfaqën dhe diskutuan nga të pranishmit në seminar.

Takimi zgjati 4 orë, gjë që tregoi interesin e lartë dhe nevojën për më shumë bashkëveprim dhe kualifikim të mësuesve të diasporës.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Seminarin e hapi znj. Gjongecaj me një pasqyrë të veprimtarisë së organizatës AADLC e cila zotëron statusin legal të një organizate jo-fitim prurëse dhe që në programin e saj ka edhe kualifikimin profesional të mësuesve në të dy gjuhët, shqip dhe anglisht.

Dr. Vaxhid Sejdiu, Kryetar i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), mbajti temën ‘Si ta masivizojmë shkollën shqipe në diasporë. Eriketa Qorlazja, mësuese e gjuhës shqipe pranë Shtëpisë Shqiptare Porta në Athinë, prezantoi një orë mësimi me temë: “Përdorimi mbiemrit, llojet e tij, përshtatja me emrin në gjini dhe rasë”. Enela Markja, mësuese e shkollës shqipe në Bavari, Gjermani, në bashkëpunim me Drita Gjongecaj prezantuan projektin pilot “Miqësia Postare”. Ky projekt është hartuar me qëllim zhvillimin e kompetencave gjuhësore të të folurit, të të dëgjuarit, lexuarit dhe shkruarit. Për më tepër, projekti rrit njohuritë mbi gjeografinë e kulturën shqiptare dhe fuqizimin e rrjetit të shqiptarëve jashtë trojeve të tyre duke filluar me grupmoshat e reja.

Më pas, Prof. Mirjana Lukic, dhe Drita Gjongecaj, të dyja drejtuese të shkollës shqipe “Children of the Eagle” në New York, prezantuan “Klasa Digjitale dhe përdorimi i saj”.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Seminari vijoi me reflektime dhe komente të pjesëmarrësve mbi metodat e prezantuara. Nuk munguan edhe diskutimet mbi problematikat dhe perspektivat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë që është edhe fokusi i seminarit.

Në seminar morën pjesë z. Nuhi Gashi, i cili ka organizuar dhe drejtuar seminaret mbarëkombëtare të gjuhës shqipe për vite me rradhë, si dhe anëtarët e KKAD, Aurela Konduri, Dritan Mashi, Mustafë Krasniqi, dhe Miradije Berisha.

Në diskutimet e morën fjalën dhe dhanë mendime të vyera pjesëmarrësit, Aurela Konduri (Greqi), Jerida Kulla (Greqi), Irena Mashi (Itali), Klarita Selmani (Greqi), Mustafë Krasniqi (Gjermani), Valdete Cenalia (New Jersey), Eriketa Qorlazja (Greqi), Etleva Mance (Gjermani), Pjerin Lleshi (Greqi), Ergisa Bebja, Enela Markja (Bavari), etj. Pjesëmarrësit shprehën nevojën për përkrahjen nga ana institucionale e vendeve tona si dhe për një bashkërendim të përpjekjeve për ruajtjen e gjuhës amë dhe identitetit shqiptar.

Rruga Press

YouTube player