Ministri i Infrastrukturës së Kosovës: Linja hekurudhore Prishtinë-Durrës po bëhet realitet
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se linja hekurudhore Prishtinë – Durrës po bëhet realitet. Aliu gjatë një takimi me autoritetet shqiptare, është shprehur se studimi i fizibilitetit është afër realizimit.
Shqipëria dhe Kosova do të lidhen edhe përmes linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve në mbledhjen e fundit të mbajtur, ku u zhvillua takimi i shtatë, i përvitshëm, mes qeverive të dy vendeve.
Në këtë takim palët patën njoftuar se që në buxhetet e dy vendeve për vitin e ardhshëm janë parashikuar fondet për kryerjen e fizibilitetit të ndërtimit të kësaj hekurudhe, gjë që konsiderohet si fillimi i punimeve për ndërtimin e saj.
E sot, pikërisht për këtë projekt Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka zhvilluar një takimi me autoritetet shqiptare, ku është shprehur se studimi i fizibilitetit është afër realizimit.
“Studimi i fizibilitetit dhe projekti preliminar i dizajnit për linjën hekurudhore Prishtinë – Durrës po bëhet realitet. Jemi te Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave në Durrës për të diskutuar për hapat e mëtejmë të linjës hekurudhore që do t’i bashkojë ekonomitë tona dhe do t’i fuqizojë mundësitë për zhvillim ekonomik, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë”, ka njoftuar Aliu
Krahas marrëveshjes për hekurudhën Durrës-Prishtinë, në takimin e Elbasanit janë nënshkruar edhe 12 marrëveshje të tjera që kanë të bëjnë me lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve në të dyja anët e kufirit, marrjen e lejeve të qëndrimit dhe të punës, hapjen e pikës kufitare në Shishtavec, (Kukës), shkurtimin e ndërsjelltë të procedurave për njohjen e diplomave dhe gradave shkencore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishe thënë në Elbasan se linja hekurudhore Durrës- Prishtinë “është sa e një rëndësie ekonomike po aq edhe gjeopolitike, pasi ndihmon edhe rajonin, fqinjët tanë, me të cilët kemi të kaluar të përbashkët, por edhe do të ndajmë të ardhmen”. Hekurudha Durrës-Prishtinë krijon mundësi edhe për përfshirjen e Mali të Zi pasi projekti parashikon që ajo të kalojë nga Durrësi në Tivar dhe që andej në Prishtinë, duke e bërë kryeqytetim e Kosovës një qendër të linjave hekurudhore rajonale.
Përveç linjës hekurudhore që lidh Kosovën dhe Shqipërinë, në vitin 2013 ka përfunduar autostrada ‘Ibrahim Rugova’.
Ndryshe, autoritetet në Prishtinë vazhdimisht kanë konfirmuar gatishmërinë për realizimin e projekteve të linjave hekurudhore dhe rrugore me vendet e rajonit, siç është linja hekurudhore Durrës – Prishtinë – Nish, projekt ky që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.
Projektet rajonale hekurudhore ishin diskutuar edhe në Procesin e Berlinit, pjesë e të cilit është edhe Kosova.
Ky proces ishte iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014, në të cilin përfshihen dymbëdhjetë shtete, gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor të cilat janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe gjashtë shtete anëtare të BE-së.
Infrastruktura hekurudhore në Kosovë aktualisht vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë. Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve janë të vjetruara.
Për të përmirësuar këtë infrastrukturë, vitin e kaluar ka filluar rehabilitimi i disa segmenteve hekurudhore, siç është segmenti Prishtinë – Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë, që përfshin hekurudhën në një gjatësi prej 65 kilometrash.
Ndërkohë, po paralajmërohet që së shpejti të fillojë edhe linja e dytë, që përfshin rrjetin hekurudhor Prishtinë – Leshak, në kufirin me Serbinë. Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.
Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës, kanë një tren të rregullt, që quhet “treni i shpejtë”, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë./MONITOR