Sport

Drejtori i Granadës i thur elozhe futbollistit shqiptar: Do të jetë surpriza e madhe

Myrto Uzuni vazhdon të jetë një personazh tërheqës në Granadë.

Sulmuesi i Kombëtares ka firmosur një kontratë deri në vitin 2025 me Granadën, teksa pret me padurim edhe debutimin e tij me bardhekuqtë.

Ka qenë radha e drejtorit sportiv të Granadës, Pep Boada, për të komentuar blerjet e bëra nga klubi gjatë merkatos së dimrit.

Natyrisht që ai ka komentuar edhe transferimin e Myrto Uzinit.

Sulmuesi kuqezi i kushtoi klubit spanjoll 3.5 milionë euro dhe pritshmëritë për të janë të mëdha. Golat e shumtë dhe asistet janë pasaporta më e mirë e ish-lojtarit të Apolonisë, Laçit e Ferencvaroshit.

Drejtori sportiv i Granadës ka pranuar se klubi spanjoll e ka ndjekur prej kohësh sulmuesin tonë dhe falë paraqitjeve të bëra i ka bindur drejtuesit t’i ofrojnë atë që ai e quan shansi i jetës.

“Jam i bindur se Uzuni do të jetë surpriza e madhe e Granadës. Na ka lënë përshtypje të shkëlqyera që kur e kemi ndjekur në stadium. Ai vlen me një pasaportë të pasur dhe i etur për të bërë mirë. Ka kaluar mjaft vështirësi në fëmijëri, vjen nga një familje e përvuajtur. Ai e di fare mirë se ky është shansi i jetës së tij.”

“Me Uzunin në fushë skuadra do të fitojë vertikalitet. Me shpejtësinë që ka do të na japë, epërsi në lojën një kundër një si dhe do të jetë një lojtar që i çorienton mbrojtjet kundërshtare.

Jam i bindur se do të fitojë shumë shpejt zemrat e tifozëve tanë. Ai është një lloj lojtari që tifozët duan të shohin në fushë”, ka thënë drejtori sportiv i Granadës, Pep Boada.

Rruga Press

YouTube player