2021, viti kur gjermanët pinë më së paku birrë
Gjermanët reduktuan konsumin e birrës edhe vitin e kaluar, duke vazhduar një trend të rënies së prodhimit dhe konsumit të birrës në Gjermani që vazhdon prej tridhjetë vitesh.
Vitin e kaluar, fabrikat gjermane të birrës prodhuan dhe shitën 8,5 miliardë litra birrë, që është 2,2 për qind më pak se në vitin 2020, njoftoi Byroja Federale e Statistikave në Wiesbaden.
Nëse merret parasysh tregu i brendshëm, shitjet e birrës ranë me 3.4 për qind, në 7 miliardë litra, raporton seatletimes.
Kjo është sasia më e ulët e birrës e konsumuar në Gjermani që nga prezantimi i statistikave. Konsumi i birrës ka rënë me 23.9 për qind që nga viti 1993, kur u reformua ligji për taksimin e birrës.
Një rënie e veçantë e shitjeve u regjistrua në janar dhe shkurt të vitit të kaluar, kur në Gjermani ishin në fuqi masa të rrepta mbylljeje dhe karnavali, i cili tradicionalisht kontribuon në rritjen e konsumit të birrës, u anulua. Në vitin 2020, festat e karnavaleve mbaheshin ende sepse masat e mbylljes filluan vetëm në mars.
Në të dy vitet e pandemisë, ngjarje të tjera të mëdha që lidhen me konsumin e birrës u anuluan, si festivali i famshëm i birrës Oktoberfest.
Pika e ndritur për fabrikat e birrës është rritja me katër për qind e eksporteve. Megjithatë, vetëm fabrikat e mëdha të birrës të orientuara drejt eksportit përfitojnë nga kjo tendencë, ndërsa fabrikat e vogla janë të orientuara drejt konsumit të brendshëm dhe furnizimit të objekteve lokale të hotelierisë, të cilat janë veçanërisht të prekura nga pandemia.
Disa fabrika të mëdha birre në Gjermani kanë njoftuar tashmë një rritje të çmimeve të birrës. Në Gjermani, sipas të dhënave më të fundit të Shoqatës së Prodhuese të Birrës për vitin 2020, funksiononin 1528 fabrika birre.
Rruga Press